Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë sot në takimin rajonal, të mbajtur në Tiranë, për krijimin e Konsorciumit Ballkanik të Bimëve Aromatike Mjekësore (MAPs) në Evropën Juglindore.
Në takim, ku ishin të pranishëm akademikë dhe profesorë të njohur nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Mali i Zi, Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina, Sllovakia Serbia, Zvicra, Italia, Kroacia e Bullgaria, u diskutua për adresimin e sfidave dhe nxitjen e zhvillimit të bimëve mjekësore dhe aromatike, kryesisht nga zonat malore.
“Theksova se MBZHR do të jetë mbështetje me politika për përmirësimin i cilësisë së MAP-ve, dhe reduktimin e mbishfrytëzimit nga grumbullimi i bimëve të egra (erozioni gjenetik). Optimizimi i burimeve gjenetike dhe përhapja e teknologjitë inovative të kultivimit për MAP-të, do garantojë një furnizim të qëndrueshëm dhe me cilësi të lartë të materialit bimor për industrinë në zhvillim të MAP-ve në rajonin tonë, si dhe do nxisë punësimin dhe të ardhurat në familjet e zonave rurale”, tha ministrja Denaj.
Krijimi i këtij konsorciumi nxit gjithashtu krijimin e mundësive të punësimit dhe të ardhurave të qëndrueshme në zonat rurale.
Industria e bimëve mjekësore dhe aromatike ka shënuar një trend në rritje vitet e fundit në vendin tonë, duke u kthyer në një burim të ardhurash për mijëra familje. Ndërsa gjithnjë e më tepër vihet re një prezencë të këtyre bimëve në tregun botëror të kësaj industrie.
Rritja e eksporteve të këtyre bimëve është një ndër prioritetet e politikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Shqipëria ka qindra bimë mjekësore dhe aromatike që rriten kryesisht në zonat malore të vendit, ndërkohë ndër më të njohurat mund të përmendim sherbelën, balsamin, rigonin, boronicën, qershinë e egër, livandën, trumzën, bimën e makthit, hithrën, cianin, trëndafilin e egër dhe shtogun.
Këto lloje bimësh gjejnë përdorim në industrinë farmaceutike, ushqimore dhe kozmetike, ndërsa procesi i përgatitjes së tyre kalon në faza të ndryshme./ata