Në një deklaratë për mediet para bashkisë së Tiranës, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, tha se Tirana është kryeqyteti që ka dendësinë më të lartë të popullatës për kilometër katror në rajon dhe si pasojë e politikave të gabuara urbane, vijon të rritet deri në mungesë hapësirash për banorët.
Ajo gjithashtu tha se “ashtu sikurse kullat e larta dhe ndërtimet e pafundme që kanë zënë frymën e kryeqytetit tregojnë babëzinë e Erjon Veliajt, shoqëruar me dyshimin për pastrim dhe qarkullim të parasë së pistë me burime të dyshimta”.
Për këtë, Karabina fton qytetarët që t’i bashkohen Partia Demokratike e Shqipërisë dhe të bëhen pjesë e ndryshimit, duke iu bashkëngjitur vagonit të madh popullor që kërkon ndryshim dhe e sheh PD-në si aspiratën ku ky ndryshim do të bëhet realitet.
“Sipas të dhënave publike të Eurostat, Tirana është kryeqyteti me dendësinë më të lartë të popullatës për kilometër katror në Rajon, ndërkohë që, krahasuar me qytetet e tjera të Shqipërisë, kjo dendësi është pesë herë më e lartë se mesatarja e vendit. Paradoksalisht qytetet e Shqipërisë braktisen, ndërsa Tirana rritet deri në zënie fryme dhe mungesa hapësirash për banorët e saj. Një gjë e tillë ndodh si pasojë e politikave të gabuara urbane, sociale dhe ekonomike të qeverisë së Edi Ramës”, tha Karabina.
“Ashtu sikurse kullat e larta dhe ndërtimet e pafundme që kanë zënë frymën e kryeqytetit tregojnë babëzinë e Erjon Veliajt, shoqëruar me dyshimin për pastrim dhe qarkullim të parasë së pistë me burime të dyshimta. Qeveria e Edi Ramës në 11 vite, dështoi për ta bërë Shqipërinë njëlloj të jetueshme në të gjithë qytetet e saj, ashtu sikurse Tirana nën drejtimin e Veliajt, edhe pse erdhi në pushtet me premtimin se gjatë qeverisjes së tij nuk do të kishte asnjë ndërtim të ri në kryeqytet, ka dështuar të ketë një plan urban dhe zhvillimor që t’i përgjigjet nevojave të një milion banorëve në të katër anët e qytetit”, vijoi Karabina.
“Zyrtarët nuk e kanë vëmendjen te njerëzit dhe hallet e tyre, por te grabitja e publikes në dëm të njerëzve dhe në favor të tyre. Kjo është një situatë që duhet të marrë fund. Partia Demokratike e Shqipërisë fton qytetarët e Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë që të bëhen pjesë e ndryshimit, duke iu bashkëngjitur vagonit të madh popullor që kërkon ndryshim dhe e sheh PD-në si aspiratën ku ky ndryshim do të bëhet realitet”, përfundon Karabina./ata