Pas vendimit të marrë ditën e sotme nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për moslejimin e kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorëve, për të marrë poste në sistemin e drejtësisë për 15 vite, ka reaguar edhe vetë Alfred Balla.

- Advertisement -

Ai e ka cilësuar këtë një vendim të turpshëm, i cili nuk i la shije të mirë. Ai ka theksuar se vendimi i marrë nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje.

“Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua.

Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat.

 

Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje.

Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj.

Më keq me vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…”,-thuhet në reagimin e tij./EuroNews