Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur. Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë.

Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim nga palestinezët. Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda. Këto tre vende njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën.

I pari, kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”. Gahr Store tregoi se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez nga 28 maji.

Norvegjia që nuk është anëtare e BE, por ndjek politikat e saj, ka qenë mbështetëse e zjarrtë e zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Palestina ka të drejtë thelbësore për të qenë shtet i pavarur”, tha shefi I qeverisë norvegjeze. Norvegjia po e njeh Palestinën si shtet më shumë se 30 vjet pas marrëveshjes së parë të Oslos, e nënshkruar më 1993. Prej atëherë, “palestinezët kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt zgjidhjes me dy shtete, ku edhe BB ka theksuar se Palestina i ka përmbushur kriteret kyçe për të funksionuar si shtet më 2011, dhe se institucione kombëtare janë ndërtuar për t’i ofruar shërbime të rëndësishme popullit.

Ndërsa kryeministri irlandez Harris tha se “kjo është një ditë historike dhe e rëndësishme për Irlandën dhe Palestinën”. Ai tha se vendimi i vendit të tij për ta njohur Palestinën si shtet ka për qëllim të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin palestinezo-izraelit përmes zgjidhjes me dy shtete. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha në parlament se vendi i tij do ta njohë Palestinën si shtet më 28 maj.

Vendimi i tre shteteve europiane vjen në një kohë kur forcat izraelite po kryejnë sulme në pjesët veriore dhe jugore të Rripit të Gazës, duke shkaktuar zhvendosjen e mijëra civilëve dhe duke e kufizuar dukshëm futjen e ndihmave në enklavën palestineze. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abhas mirëpriti vendimin dhe  u bëri thirrje vendeve të tjera ta bëjnë të njëjtën./Shqiptarja