Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani deklaroi sot se, gjatë viti 2023 SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë në total rreth 41 milionë euro.
Në seancën dëgjimore për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë vitit 2023 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Dumani tha se, “SPAK ka hetuar gjithsej 863 materiale, nga të cilat është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 113 materiale. Janë hetuar 750 procedime penale, nga të cilat janë mbartur 451 procedime. Janë regjistruar procedime të reja gjithsej 299”.
Në lidhje me kërkesat për gjykim, Dumani tha se, “rezulton se janë dërguar në gjykatë 53 kërkesa për gjykim me 296 të pandehur. 11 kërkesa për gjykim me 109 të pandehur për krimin e organizuar dhe 38 kërkesa për gjykim me 142 të pandehur për veprat penale me natyrë korruptive. Për 29 procedime penale është paraqitur kërkesë për pushim”.
Kreu i SPAK shtoi se, “janë transferuar 87 procedime penale dhe është vendosur pezullimi i hetimeve për 24 procedime penale”.
“Nga numri prej 575 personave në hetim, 457 prej tyre janë hetuar me masë sigurimi, ndërsa 118 persona nën hetim janë hetuar në gjendje të lirë. Prokurorët e posaçëm kanë marrë pjesë në 690 seanca gjyqësore në shkallën e parë dhe 332 seanca gjyqësore në apel. Si dhe kanë ushtruar 4 rekurse në Gjykatën e Lartë”, u shpreh Dumani.
Kreu i SPAK theksoi se, “janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë në total rreth 41 milionë euro”./ata