Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, zhvilloi mbledhjen e radhës, ku u shqyrtua drafti i projektrezolutës “Për veprimtarinë e Entit Rregullator të Ujit (ERRU), për vitin 2023”.
Kryetari i komisionit Arben Pëllumbi, tha se raporti i ERRU është prezantuar në mbledhjet e mëparshme, dhe sot do të vijohet me diskutimin e rekomandimeve.
Relatori i çështjes Fadil Nasufi, në fjalën e tij theksoi faktin se gjatë vitit 2023, sektori UK është karakterizuar nga ndryshime thelbësore sa i përket riorganizimit dhe operimit të tij, në vijim të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të FU dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të UN”, i cili në përfundim agregon sektorin UK në 15 shoqëri UK rajonale si Subjekte me Kompetenca të Përbashkëta nga 58 shoqëri UK që ofronin më parë shërbimin në 61 bashki të vendit.
“Objektivi kryesor i reformës është që nëpërmjet ekonomisë së shkallës të përmirësojë cilësinë e shërbimit, të rrisë efikasitetin dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve UK”, theksoi Nasufi.
Sipas tij, procesi i riorganizimit deri në fund të vitit 2023 rezultoi në konkretizimin e 14 shoqërive UK Rajonale nga 15 të parashikuara sipas reformës.
Më tej, Nasufi vlerësoi punën e UK, për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit midis AKUK dhe ERRU.
Marrëveshja e parë mbi “Raportimin e të dhënave të shoqërive UK pranë sistemit të integruar të informacionit të performancës”, që synon krijimin dhe përdorimin e një sistemi të integruar mbi të dhënat dhe treguesit kryesorë të performancës.
Ndërsa marrëveshja e dytë mbi “Hartimin dhe miratimin e modelit të planeve pesëvjeçare të biznesit për shërbimet e furnizimit me ujë”, e cila lidhet me përdorimin e një modeli dhe udhëzuesi të unifikuar për Planet 5-vjeçare të Biznesit, sipas modelit që do të hartohet nga ERRU dhe do të jetë i detyrueshëm për zbatim nga operatorët UK.
Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektrezolutë, e cila i përcillet më tej seancës plenare të Kuvendit./ata