Qyteti i Durrësit po përgatitet për të pritur pushuesit vendas e të huaj për sezonin e ri turistik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga aksioni i pastrimit në bregdetin e Durrësit nga punonjësit e bashkisë dhe Agjencisë Rajonale të Bregdetit Durrës.

“Përmes një aksioni të përbashkët, kanë bërë pastrimin e vijës bregdetare të qytetit, si pjesë e angazhimit, por edhe ndërgjegjësimit për të bashkëpunuar në mbarëvajtjen e sezonit turistik duke garantuar më së pari pastërtinë”, tha Kumbaro.

Ekipet e pastrimit të bashkive të zonave turistike prej më shumë se 2 vitesh që me nisjen e Planit Kombëtar të Pastrimit janë çdo ditë në terren për pastrimin e zonave pranë plazheve deri në hapësirat periferike.

Për të mundësuar një Shqipëri të pastër e dinjitoze u ndërmor Plani Kombëtar i Pastrimit, i cili nisi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe ka përfshirë të gjithë territorin e vendit nga veriu deri në jug./ata