Në të gjitha vendet e botës sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit, thesarit të çmuar të zonave të mbrojtura.

Kjo ditë u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të përkujtuar 22 majin e vitit 1992, kur u miratua teksti i Konventës së Biodiversitetit në të cilën edhe Shqipëria është palë.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga pasuria e zonave të mbrojtura në vend.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, një udhëtim mes pasurive mahnitëse të zonave të mbrojtura natyrore të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Me rritjen e sipërfaqes së zonave të mbrojtura në Shqipëri synohet shtimi i listës së mbrojtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm më shumë elementë të diversitetit biologjik.  

Zonat e Mbrojtura janë oaz i biodiversitetit në Shqipëri, tanimë me një sipërfaqe të shtuar në 21,5% të territorit të vendit

Zgjerimi i Zonave të Mbrojtura në Shqipëri synon të rrisë integritetin e këtyre zonave, për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë, për habitatet e rralla që bartin.

Gjatë këtij viti Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura , të cilat synojnë të garantojnë një ekuilibër mes zhvillimit të komuniteteve në zona me potencial turistik, duke mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin./ata