Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, (UBT) Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, priti në një takim ambasadoren e Japonisë në vendin tonë, Kikuko Kato.

Gjatë takimit ambasadorja Kato shkëmbeu mendime me rektorin e UBT-së, Sallaku për nxitjen e bashkëpunimit mes institucioneve akademike homologe në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.

“Të nderuar të presim në Universitetin Bujqësor të Tiranës Ambasadoren e Japonisë në Shqipëri, Kikuko Kato në një vizitë në kuadër të Projektit “Read Japan Project” për dhurimin e disa librave në Bibliotekën Shkencore “Mentor Përmeti” në UBT”, tha rektori në fjalën e tij.

Gjatë takimit u propozuan rrugë bashkëpunimi midis institucioneve akademike homologe duke krijuar ura të reja lidhëse mes dy shteteve të largëta me qëllim forcimin e zhvillimit të qëndrueshëm në fushën e bujqësisë dhe edukimit.

Zëvendësrektorja për Shkencën dhe Projektet, Prof. Dr. Erinda Lika prezantoi interesin e studentëve të Doktoraturës por edhe të stafit akademik për kërkim shkencor në fushën e inteligjencës artificiale në bujqësi, në kuadër të projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimeve akademike dhe trajnimeve të specializuara për studentët dhe stafin akademik.

Ambasadorja u shpreh entuziaste për këtë takim dhe për rrugët e hapura që mund të gjenerohen prej tij në vazhdim.

Takimi pasoi me ceremonisë e dhurimit të librave në Bibliotekën Shkencore “Mentor Përmeti” në UBT, ku Rektori Sallaku dhe Përgjegjësja e Bibliotekës, Renata Bardhi shprehën falenderimet dhe mirënjohjen e tyre për këtë gjest shumë të vyer nga ana e Ambasadës së Japonisë në Shqipëri.

Janë gjithsej 157 libra në gjuhën angleze që i dhurohen UBT, të cilët fokusohen në tematika të ndryshme si bujqësia, natyra, letërsia, kultura etj. Librat dhurohen nga Tokyo Foundatiom for Policy and Research me mbështetjen e Nippon Foundation.

Qëllimi i këtij donacioni që mbështetet nga Ambasada Japoneze në Tiranë synon të afrojë më shumë studentët apo lexuesin shqiptar me Japoninë dhe të nxisë interesin e të afrojë mundësitë e bashkëpunimit mes institucioneve akademike të dy vendeve në drejtim të arsimit, kërkimit shkencor, shkëmbimit të njohurive dhe ekspertizës etj./ata