Qeveria norvegjeze njoftoi se do ta njohë Palestinën në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) me kufijtë e vitit 1967 më 28 maj.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm, Espen Barth Eide, tha se "Qeveria norvegjeze vendosi të njohë Palestinën si shtet".

Sipas Store, duhet të mbajnë gjallë alternativën e vetme që ofron zgjidhje politike si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët, ku në mesin e një lufte kanë vdekur dhe plagosur dhjetëra mijëra persona, duke nënvizuar se kjo zgjidhje është "dy shtete që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri".

Në deklaratën e qeverisë thuhet se Norvegjia mbështet dhe përpiqet të avancojë zgjidhjen me dy shtete dhe se njohja e Palestinës si shtet thekson qëndrimin e kahershëm të Norvegjisë se zgjidhja e përhershme e konfliktit në Lindjen e Mesme mund të arrihet vetëm përmes një zgjidhjeje me dy shtete.

Më tej në deklaratë theksohet se Palestina do të njihet me kufijtë e saj të vitit 1967 më 28 maj, njëkohësisht me vendet me pikëpamje të ngjashme në Evropë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të KS-OKB-së.

 

- Kryeministri spanjoll: Nuk do të lejojmë që ofenziva izraelite të shkatërrojë zgjidhjen me dy shtete

 

Spanja do ta njohë zyrtarisht shtetësinë palestineze më 28 maj, njoftoi sot në parlamentin spanjoll kryeministri Pedro Sanchez.

Njoftimi erdhi në të njëjtën kohë kur lideri i Irlandës dhe ai i Norvegjisë njoftuan se do ta bëjnë të njëjtën gjë.

Në fjalimin e tij, Sanchez tha se ai ka biseduar me liderët dhe ka shqyrtuar situatën në Palestinë dhe se e kupton qartë një gjë: Kryeministri izraelit Benjamin "Netanyahu nuk ka një projekt paqeje për Palestinën".

Sanchez tha se lideri izraelit po refuzon të dëgjojë komunitetin ndërkombëtar, ndërsa vazhdon të bombardojë infrastrukturën civile dhe të bllokojë ndihmën dëshpërimisht të nevojshme.

"Luftimi i Hamasit është i nevojshëm pas 7 tetorit. Por Netanyahu po krijon aq shumë dhimbje dhe pakënaqësi në Gaza, saqë zgjidhja me dy shtete është në rrezik serioz", tha ai.

Sanchez shtoi se Spanja nuk do të lejojë ofensivën izraelite në Gaza të "shkatërrojë të vetmen zgjidhje të drejtë".

Në të njëjtën kohë, ai shtoi se njohja e Palestinës "nuk është fundi, është vetëm fillimi", dhe se Spanja do të vazhdojë të bëjë presion ndaj komunitetit ndërkombëtar për të ndërmarrë veprime.

Ai gjithashtu njoftoi se Spanja do të pranojë rreth 30 fëmijë nga Gaza që vuajnë nga kanceri ose sëmundje të tjera të rënda shëndetësore.

- Irlanda: Presim të na bashkohen edhe shtete të tjera në vijim

Edhe kryeministri i Irlandës, Simon Harris, njoftoi se vendi i tij do ta njohë shtetin e Palestinës

Kryeministri irlandez Harris, zëvendëskryeministri, ministri i Jashtëm dhe i Mbrojtjes, Micheal Martin, si dhe ministri i Transportit, Eamon Ryan, mbajtën një konferencë për media në kryeqytetin Dublin

"Sot, ne, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja, shpallim se njohim shtetin e Palestinës. Tani secili prej nesh do të ndërmarrë hapat e nevojshme kombëtare për zbatimin e këtij vendimi", tha Harris. "Jam i sigurt se edhe vende të tjera do të na bashkohen për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm në javët në vijim", tha ai duke theksuar se para njoftimit të sotëm ka zhvilluar biseda me disa liderë dhe homologë

Harris në deklaratën e tij vuri në dukje rëndësinë e njohjes ndërkombëtare pasi vendi i tij fitoi pavarësinë. "Sot, ne përdorim të njëjtën gjuhë për të mbështetur njohjen e Palestinës si shtet. Ne e bëjmë këtë sepse besojmë në lirinë dhe drejtësinë si parime themelore të së drejtës ndërkombëtare. Ne besojmë se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm në bazë të vullnetit të lirë të një populli të lirë", theksoi Harris

Sipas tij, njoftimi i sotëm është "deklaratë e qartë e mbështetjes" për zgjidhjen me dy shtete, e cila është e vetmja rrugë e besueshme drejt paqes dhe sigurisë për Izraelin, Palestinën dhe popujt e tyre.

"Vendimi ynë për të njohur Palestinën nuk duhet të presë për një kohë të pacaktuar, veçanërisht kur është gjëja e duhur për ta bërë. Kush si mund të justifikojë faktin që fëmijët nuk e dinë nëse do të zgjohen duke fjetur natën? Sot po bëjmë një hap të rëndësishëm politik, do të ketë reagime, do të komentohet për pasojat, por të mos e harrojmë këtë fakt themelor: Fëmijët janë të pafajshëm, fëmijët e Izraelit, fëmijët e Palestinës, ata meritojnë paqen", tha kryeminsitri irlandez.

Ai theksoi se "Irlanda është në vendosmëri të njohë plotësisht shtetin e Izraelit dhe të drejtën e tij për siguri dhe për të ekzistuar në paqe me fqinjët e tij". Martin, nga ana tjetër, tha se vendimi për njohjen e shtetit palestinez do të hyjë në fuqi më 28 maj.

Duke tërhequr vëmendjen se palestinezët kanë të drejtën e vetëvendosjes, të kenë shtet dhe të jetojnë në paqe dhe qetësi, Martin tha: "Vendimi ynë për të njohur shtetin palestinez do të jetë pjesë e kornizës gjithëpërfshirëse politike që mund t'i japë fund përfundimisht këtij konflikt brutal".

Ai shtoi se vendimet për njohjen e Palestinës nuk nënkuptojnë pranimin e sulmeve ndaj Izraelit. "Ne mbështesim pa mëdyshje ekzistencën e Izraelit dhe të drejtën e popullit izraelit për vetëvendosje, ashtu siç mbështesim të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje dhe ekzistencë", theksoi Martin.

Martin potencoi ekzistencën e dy vendeve në kufijtë e vitit 1967. "Ne presim që shteti palestinez, si të gjitha shtetet, të përmbushë detyrimet e tij. Populli palestinez meriton demokracinë, të drejtat e njeriut, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Shteti palestinez nga ana e tij duhet ta sigurojë këtë", tha ai.

Ryan, udhëheqës i Partisë së Gjelbër partnere qeveritare dhe ministër i Transportit, Klimës dhe Komunikacioneve, tha në fjalimin e tij se ata e njohin shtetin palestinez si një vend të barabartë, ashtu siç e njohin Izraelin. "Ne kemi mësuar se përdorimi i dhunës kundër të pafajshmëve për të arritur qëllimet politike nuk mund të jetë kurrë i suksesshëm", u shpreh Ryan duke shtuar se me vite në parlamentin irlandez po bën thirrje për njohjen e shtetit palestinez.

Vendimi i tri vendeve evropiane vjen derisa Izraeli po e vazhdon ofenzivën e tij brutale në Rripin e Gazës, ku janë vrarë më shumë se 35 mijë palestinezë./aa