Dhjetëra shtande të ngritura në sheshin “Zahir Pajaziti” kanë sjellë veçantitë e qytetit turistik shqiptar të Lezhës nën një organizim nga institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, nën titullin “Shije Lezhe në Prishtinë”.
Të pranishëm në hapjen e festës promovuese të turizmit të qytetit të Lezhës, ishin kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ministra të Qeverisë së Kosovës, ambasadorë të vendeve mike dhe shumë qytetarë.
Në shtandet e ngritura në shesh, qytetarët nga Kosova patën mundësinë të mësojnë më shumë për bukuritë e veçanta, natyrën e jashtëzakonshme, gastronominë, kulturën dhe turizmin e qytetit të Lezhës.
Gjitashtu shumë qytetarë provuan edhe disa nga pijet dhe ushqimet më të shijshme të gatuara në vendin e ngjarjes nga kuzhinierët e qytetit të Lezhës.
Ndreu në fjalën e tij tha se 65 për qind e klientëve në sezonin turistik të verës në Lezhë vijnë nga Kosova.
Ai tha se janë në Prishtinë edhe për t’i shprehur mirënjohje kosovarëve të cilët po ndikojnë në ekonominë e Lezhës, duke marrë pjesë në turizëm jo vetëm si pushues, por edhe si kontribues në biznes, restorante dhe jetën publike të qytetit.
“Besoj se kemi nxjerrë një produkt ashtu siç duhet për ta shfaqur Lezhën në sytë e gjithë shqiptarëve të Kosovës ashtu siç është dhe ashtu siç disa nuk e njohin, por, duhet ta dinë", tha Ndreu.
Rama, nga ana e tij, tha se qyteti i Lezhës deri vonë njihej vetëm për historinë, por sot ky qytet ka shkuar shumë më përpara.
“Mburremi me atë çfarë ka arritur sot Lezha si bashki, bashkë me bashkëkombësit që na ofrojnë sot këtu një mundësi fenomenale të një niveli të mrekullueshëm në aspektin e gastronomisë, hotelerisë, në aspektin e një turizmi të një niveli shumë të lartë”, theksoi Rama.
Gjatë kësaj ceremonie qytetarët u argëtuan edhe me këngë dhe valle shqiptare me performanca të drejtpërdrejta nga ansambli dhe këngëtarë të qytetit të Lezhës./aa