Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” vijon puna për finalizimin e fazës së parë të ndërtimit të ri.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për ndërtimin e godinës së re.
Manastirliu u shpreh se ky projekt do t‘i hapë rrugë investimit në godinën kryesore, e cila do të restaurohet duke ruajtur arkitekturën historike, për të garantuar standardin më të mirë të shërbimit për nënat dhe fëmijët.
Me këtë ndërtim të ri do të rriten kapacitetet spitalore, do të rritet në 360 numri i shtretërve, ndërsa numri i shtretërve në terapinë intensive do të dyfishohet, duke mundësuar pritjen e 7 mijë lindjeve/vit dhe duke iu shërbyer mbi 20 mijë pacientëve çdo vit. Projekti parashikon rritjen e kapaciteteve edhe për sallat e operacionit, nga 6 që janë aktualisht, do të bëhen 10 të tilla, të standardeve më të mira, me aparatura të teknologjisë së lartë. Risi për këtë projekt është Qendra e Prematuritetit, e konceptuar për herë të parë në një maternitet në Shqipëri.
Me projektin për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” do të ndërhyhet në tre plane: Ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; Rikonstruksioni i plotë i godinës historike që do ruajë detajet e arkitekturës unike të stilit Litoral në fasadën e saj, por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine; Zgjerimi i objektit ekzistues të Obsetrikës.
Do të jetë një kantier i madh prej mbi 6 mijë metra katrorë, ku pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.