Gjykata e Vlorës dënon me 18 vite burg ish-policin Arjan Tase i cili në gushtin e 2 viteve mëparë përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdia.
Arjan Tase u shpall fajtor për ‘vrasje me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
Në gushtin e 2022 Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja, kishte ardhur për pushime në atdheun e tyre, pasi prej vitesh jetonin në Angli. Ata kishin shkuar me pushime në Potam të Himarës.
Më 02 gusht 2022, Arjan Tase ka qenë duke drejtuar skafin dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, kur është nisur për të dalë nga zonë (brenda kordonit të sigurisë) ku notonte babai me me vajzën e tij Jonada, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin.
Vdekja e 7 vjeçares tronditi mbarë opinionin publik
Ekzekutimi i vendimit për dënimin e Arjan Tases fillon ditën e arrestimit të të pandehurit kryer për llogari të këtij procedimi penal, në datën 02.08.2022, dhe pjesa e mbetur e pavuajtur e dënimit, do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Ndërsa më 1 dhjetor 2023, Gjykata e Vlorës ndau dosjen. Ish-punonjës i policisë u gjykua më vete nga 8 punonjësit e tjerë të policisë së Himarës të cilët për këtë ngjarje u akuzuan për shpërdorim detyre./Shqiptarja