Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Tzachi Hanegbi tha se ushtria izraelite nuk ka arritur asnjë nga objektivat strategjike të luftës në Rripin e Gazës.
Sipas lajmit të televizionit izraelit "Channel 13", Hanegbi në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë dhe Punëve të Jashtme në parlament dha informacione për statusin e sulmeve të ushtrisë në Rripin e Gazës.
Hanegbi i cili foli gjatë takimit tha: "Ne nuk mundëm të arrinim asnjë nga objektivat strategjike të luftës".
Duke theksuar se ata nuk mundën të arrinin një marrëveshje për rikthimin në vend të pengjeve izraelite në Gaza dhe se nuk mundën të përmbysnin Hamasin, Hanegbi shtoi se ata nuk kanë mundur as të lejojnë që ata që jetojnë përreth Rripit të Gazës të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre.
Ai potencoi se ushtria izraelite ka thënë se do të duhej një kohë shumë e gjatë për të arritur objektivat e luftës, jo një vit, por vite.
Në fillim të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, qeveria e Benjamin Netanyahut vendosi tre objektiva. Këto objektiva janë eliminimi i Hamasit ushtarakisht dhe administrativisht, shpëtimi i pengjeve izraelite në Gaza dhe kthimi i tyre në vend si dhe të sigurohet që Rripi i Gazës të mos përbëjë kërcënim për Izraelin në të ardhmen./aa