Edicioni i 22-të i Festivalit Ndërkombëtar “Zgjimi me Art” filloi me “Punëtorinë e 4-të Ndërkombëtare të Piktorëve” në qytetin e Prizrenit.
Piktorët e ardhur nga vende të ndryshme në Prizren, bënë piktura në qendrën historike të qytetit në kuadër të punëtorisë, derisa punimet e tyre u ndoqën me interes nga qytetarët prizrenas.
Ethem Baymak, drejtor i Festivalit Ndërkombëtar “Zgjimi me Art”, tha për Anadolu se festivalin e organizuan për të përqafuar artdashësit që jetojnë në Prizren dhe për të përcjellë njohuritë artistike te brezat e rinj.
Baymak tha se në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit, janë përpjekur të krijojnë një përmbajtje të pasur dhe plot ngjyra.
"Ne u përpoqëm të përqafojmë artin e letërsisë, pikturës dhe muzikës. Erdhën afër 20 piktorë nga dhjetë vende të ndryshme. Ata do të portretizojnë vendet e bukura dhe pamjet e bukura të Prizrenit në pikturat e tyre, për një javë”, tha Baymak.
Piktorja nga Shkodra, Xheneta Kadillari, e cila ka pikturuar Urën historike të Gurit që gjendet në qendër të Prizrenit, u shpreh e kënaqur me interesimin që ka marrë nga organizatorët dhe publiku.
"Prizreni ka një atmosferë shumë karakteristike, arkitektura e tij në përgjithësi dhe lumi që kalon këtu e bëjnë më tërheqës për ne artistët që merremi me pikturë. Ndihemi shumë rehat”, tha ajo.
Këtë vit, festivali, i cili do të zgjasë deri më 22 shtator, ofron një platformë të larmishme me ekspozita, performanca, muzikë, shkrimtarë dhe diskutime ndërdisiplinore.
Ky edicion përqendrohet në tematika që sfidojnë kufijtë tradicionalë të artit dhe eksploron lidhjet midis kulturës dhe shoqërisë. Pjesëmarrësit kanë mundësinë të prezantojnë punët e tyre përpara një audience të gjerë, duke hapur rrugë për dialog të frytshëm dhe bashkëpunime ndërkombëtare.
Gjithashtu në Prizren, Ansambli Turk Botëror i Muzikës në Universitetin e Muzikës dhe Arteve të Bukura të Ankarasë do të mbajë një koncert të quajtur "Nga Altai në Ballkan". Ndërkaq, po ashtu, do të ketë edhe bisedë me shkrimtaren Ayşe Kulin dhe gazetarin, autorin, regjisorin e dokumentareve, Nebil Özgentürk./aa