Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një vizitë pune në ambientet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ku është pritur nga presidenti Fidel Ylli dhe sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima.

Ministrja Manastiliu dhe presidenti Ylli vizituan ambientet ku stërviten sportistët elitarë dhe u takuan me atletët që kanë siguruar kualifikimin për Lojërat Olimpike “Paris 2024”, atleten Luiza Gega, mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev dhe Çermen Valiev, të cilët janë ekipi bërthamë i Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, si dhe kampionët e peshëngritjes Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, të cilët janë modele frymëzimi për shumë të rinj.

Ministrja Manastirliu dhe kreu i KOKSH, Ylli i garantuan sportistët që mbështetja nuk do t’u mungojë, për t’iu krijuar kushte optimale stërvitore, por edhe sa herë që na bëjnë krenarë me medaljet dhe titujt kampionë bote.

“Në vitin e Lojërave Olimpike “Paris 2024″, kemi rritur buxhetin për Federatat Sportive me një fond të dedikuar për garat kualifikuese, trajnimin e sportistëve dhe përgatitjen e tyre për në Olimpiadë”, theksoi ministrja Manastirliu.

Presidenti Ylli, pasi vlerësoi mbështetjen e qeverisë dhe posaçërisht të ministres Manastirliu, ka bërë një paraqitje të detajuar të të gjithë punës së KOKSH, duke veçuar projektin “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe përgatitjet për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Ministrja Manastirliu nga ana e saj ka vlerësuar angazhimin e Komitetit Olimpik dhe veçanërisht të Presidentit Ylli, duke e shndërruar KOKSH në një institucion elitar dhe një ombrellë për të gjithë sportin shqiptar.

Manastirliu ka vlerësuar maksimalisht edhe projektin e “Ekipeve Sportive në Shkolla”, që tanimë po mbyll me sukses edicionin e dytë./ata