Konkursi Ndërkombëtar për projektin e ri të stadiumit të qytetit, “Flamurtari” u zhvillua sot në Vlorë ku tre studiot arkitekturore të përzgjedhura si finaliste, FUKSAS (Itali), OPPENHEIM Arkitekturë (SHBA & Zvicër) dhe XDGA (Belgjikë) prezantuan idetë e shndërrimit të tij, jo vetëm në mjedise sportive por edhe sociale e ekonomike.
I pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm ishte edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili, ashtu sikurse edhe në dy konkurset e tjera, është sërish pjesë e jurisë që do të përzgjedhë edhe projektin fitues. Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Duka u shpreh se qyteti i Vlorës e meriton një stadium të ri e modern.
Kreu i FSHF-së nënvizoi se futbolli në Shqipëri është zhvilluar shumë vitet e fundit, qoftë në infrastrukturë, me katër stadiume të reja, por edhe në dy komponentët e tjerë të futbollit, në anën edukative si edhe në bazën materiale falas për të gjithë fëmijët.
Presidenti Duka nuk ngurroi të bënte edhe njëherë thirrje për bashkëpunim me njësitë vendore në Vlorë, klubin ‘Flamurtari’ apo edhe biznese të qytetit bregdetar për ndërtimin e sa më shumë fushave për fëmijët, ndërsa nënvizoi se FSHF do të mbështesë çdo projekt. Ndër të tjera, numri 1 i futbollit shqiptar garantoi se juria sot do të përzgjidhë veprën më të mirë ndër tre projektet finaliste, për t’i shërbyer Vlorës, futbollistëve, medias dhe sigurisht, tifozëve.
“Flamurtari meriton shumë më shumë sesa infrastrukturë sportive ka sot. Me të gjithë ndryshimet e mëdha që janë bërë në Vlorë, ndryshimet në infrastrukturën sportive mbase nuk janë të merituara për Flamurtarin dhe për futbollistët e popullin vlonjat. Futbolli, pa dyshim që është loja më e bukur në botë, më e bukur dhe më e ndjekur në Shqipëri, më e dashura edhe për vlonjatët, ka tre elementë kryesorë: atë të edukimit, bazën materiale dhe infrastrukturën sportive”, tha ai.
Duka nënvizoi se Shqipëria ka ndryshuar shumë edhe në futboll.
“Në këndvështrimin e edukimit, sot kemi një shkollë të konsoliduar, që prodhon jo vetëm trajnerë futbolli, por të gjitha specialitetet që duhen për të drejtuar atë: fizioterapistë, mjekë, prepartatorë fizikë etj., të cilët janë të licencuar dhe njihen në të gjithë Europën dhe që mund të punosh në çdo vend. Specialistë të gatshëm për të edukuar fëmijët tanë”, shtoi ai.
Sipas tij, baza materiale gjithashtu nuk diskutohet më në këtë vend.
Kreu i FSHF-së nënvizoi se infrastruktura ka bërë ndryshime të mëdha. “Kemi ndërtuar që nga viti 2015 katër stadiume të niveleve ndërkombëtare. Në vitin 2015 filluam ‘Elbasan Arenën’ një vepër që na solli fat dhe kualifikim për në ‘EURO 2016’, nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama. Pasuam me stadiumet e tjera, Kukësin, Shkodrën dhe me perlën e futbollit shqiptar, ‘Air Albania Stadium’. stadium që na solli edhe ‘Conference League’ në Tiranë, që i shërbeu jo vetëm futbollit, por i shërbeu të gjithë Shqipërisë, biznesit shqiptar, njohjes së vendit tonë”.
Gjithashtu, Duka bëri me dije se “kemi nisur një bashkëpunim për një akademi me Sokol Kushtën, me legjendën e futbollit vlonjat dhe atij shqiptar. Unë uroj ta kurorëzojmë sa më parë. Nuk do doja që të rrimë me kaq, por të bëjmë akoma më shumë”.
Ai deklaroi mbështetjen për çdo lloj projekti për të ndërtuar fusha, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.