Kryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm palestinez, Muhammed Mustafa diskutoi me ministrin e Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares mbi përpjekjet për të ndaluar sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, armëpushimin dhe ofrimin e ndihmës humanitare për rajonin.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, Mustafa dhe Albares zhvilluan bisedë telefonike.
Mustafa dhe Albares diskutuan për çështjet e "ndalimit të sulmeve të Izraelit kundër popullit palestinez, arritjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, forcimit të përpjekjeve të ndihmës humanitare, dërgimit të ndihmave në Gaza nga toka dhe frenimin e Izraelit nga një sulm i madh tokësor në qytetin Rafah".
Kryeministri palestinez theksoi vendimin e Spanjës për njohjen e shtetit palestinez dhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Duke falënderuar Spanjën për mbështetjen e saj ndaj çështjes palestineze në arenën ndërkombëtare, Mustafa tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e bashkëpunimit për njohjen e Palestinës nga më shumë vende evropiane.
Mustafa dhe Albares diskutuan mënyrat për forcimin e partneritetit mes shtetit palestinez dhe Bashkimit Evropian (BE).
Kryeministri palestinez i bëri thirrje BE-së "të marrë qëndrim të qartë kundër planeve të Izraelit që synojnë popullin dhe administratën palestineze".
Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftuan se më 28 maj do të njohin Palestinën me kufijtë e vitit 1967 në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB)./aa