Në mbarë vendin sot, nga Tropoja në Sarandë, në orën 18:00 institucionet vendore dhe qendrore ndezën qirinj, në shenjë solidariteti me viktimat e tërmetit tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë, mëngjesin e 6 shkurtit.

 

Kjo e hënë është shpallur Ditë Zie Kombëtare në Shqipëri, në nder të mijëra viktimave të tërmetit të një jave më parë në Turqi dhe Siri.

 

Ndërsa flamuri kombëtar në të gjitha institucionet është ulur në gjysmë shtizë.

Krahas institucioneve, edhe qytetarët nga zonat e ndryshme të vendit janë solidarizuar duke ndezur qirinj në qendrat e qyteteve dhe duke u lutur për jetët e humbura në tragjedinë e Turqisë dhe Sirisë.

 

Në orën 18:00 kryeministri Edi Rama ndezi qirinj në ballkonin e zyrës së tij të punës në Kryeministri. Edhe ministrat e tjerë të kabinetit, po ashtu ndezën në dritaret e zyrave qirinj dhe u lutën për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe ata që ende luftojnë për t’i gjetur nën rrënoja.

 

Zv/kryeministrja Belinda Balluku shprehu ngushëllimet për tërmetin tragjik, teksa ndau video nga ndezja e qirinjve.

 

“Në respekt të gjithë viktimave të tërmetit në Turqi e Siri. U prehshin në paqe!”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

 

Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi shprehu ngushëllimet për këtë tragjedi.

 

“Shprehim sot dhimbjen e thellë dhe solidaritetin me popullin turk dhe popullin sirian për jetët e humbura tragjikisht nga tërmetet shkatërrimtare. Lutjet tona shkojnë për të gjitha familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe ata që ende luftojnë për t’i gjetur nën rrënoja”, shkroi ajo në rrjetet sociale, teksa ndau foto nga ndezja e qirinjve.

 

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjithashtu shprehur ngushëllimet e saj.

 

“Një qiri për shpirtrat e viktimave të tërmetit në Turqi e Siri. I bashkohemi dhimbjes së të gjithë atyre që humbën njerëzit e dashur apo që sot janë nën qiell të hapur!”, theksoi ajo.

 

Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau foto nga ndezja e qirinjve dhe shprehu ngushëllimet për tërmetin tragjik.

 

“Dhimbje që s’ka fjalë, Një lutje për viktimat e tragjedisë në Turqi e Siri. Nga dritaret e Ministrise se Turizmit dhe Mjedisit”, shkroi ajo.

 

Edhe në bashkitë e vendit u ndezën qirinj për viktimat e tërmetit tragjik.

 

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ndau foto nga ndezja e qirinjve dhe falënderoi qytetarët.

 

“Falënderoj qindra qytetarë të Durrësit dhe jo vetëm, që na u bashkuan në këtë ditë zie kombëtare për t’u lutur për jetët e humbura në tragjedinë e Turqisë dhe Sirisë!

Zhvilluam homazhe dhe ndezëm qirinj duke u solidarizuar të gjithë bashkë me këto vende.

Urojmë shërim të shpejtë të të mbijetuarve dhe Zoti u dhëntë të gjithë forcën e duhur miqve tanë për ta përballuar këtë tragjedi”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

 

Edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu shprehu ngushëllimet për tërmetin.

 

“Ndezëm qirinj në një event homazh për humbjet e jetës së tërmetit të Turqisë dhe Sirisë!

Solidaritet me popujt dhe familjet që humbën të dashurit!”, u shpreh ai.

 

Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici ndau pamje nga ndezja e qirinjve dhe shprehur solidaritet me familjet.

 

“Ndezëm nga një qiri në shenjë dhimbjeje dhe lutjeje për humbjet e jetëve nga tërmeti shkatërrues në kufirin turko-sirian. Solidaritet me familjet që humbën të dashurit e tyre!”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Të paktën 31 643 persona kanë humbur jetën nga dy tërmetet e forta që goditën Turqinë Jugore të hënën e kaluar dhe 9 300 kanë vdekur në Siri, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.

 

Tërmetet e së hënës me magnitudë 7,7 dhe 7,6, me qendër në provincën Kahramanmaras, prekën disa vende në rajon, përfshirë Sirinë.

 

Më shumë se 233 000 pjesëtarë të ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit po punojnë aktualisht në terren.

 

Autoritetet thonë se rreth 148 000 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti deri më tani.