Krerë të institucioneve të larta në Kosovë kanë mirëpritur miratimin e rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që 11 korriku të shpallet si “Dita e përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me miratimin rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës bota u jep brezave të ardhshëm mundësi për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica.

“Njohja është një hap kyç drejt pajtimit dhe luftimit të mohimit të gjenocidit. Është thelbësore për shërimin dhe për paqen e qëndrueshme, duke u ofruar ngushëllim nënave të Srebrenicës dhe të gjithë anëtarëve të familjes së mbijetuar, duke siguruar që të dashurit e tyre nuk do të harrohen kurrë”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.

Ajo ka shtuar se mohimi i gjenocidit nuk do të hapë kurrë rrugën drejt paqes, derisa shtoi se duhet qëndruar të bashkuar në luftën për të vërtetën dhe drejtësinë.

“Le të udhëhiqemi nga kujtesa e ashpër në fjalët e fëmijës së pafajshëm që pyet nënën e tij: ‘Nënë, ushtarët i vrasin fëmijët me plumba të vegjël, apo jo?’”, ka shtuar Osmani.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën ishte një sinjal i fuqishëm kundër mohimit të gjenocidit atje.

“Rezoluta e OKB-së për Përkujtimin e Srebrenicës është një sinjal i fuqishëm kundër mohimit të gjenocidit nga nacionalistët serbë dhe për të vërtetën dhe drejtësinë për viktimat. Vuçiq, Daçiq, Vulin dhe të tjerët të përfshirë në gjenocidin e Serbisë në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Gërvalla.

Edhe kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se ky është hap i rëndësishëm që njeh mizoritë që ndodhën në Srebrenicë 29 vjet më parë.

Krasniqi ka thënë se teksa mirëpret dhe përshëndet këtë rezolutë, është me rëndësi urgjente që të njihet e dënohen ngjashëm edhe krimet e kryera në Kosovë.

Rezoluta, e udhëhequr nga Gjermania me bashkë-sponsorizim nga më shumë se 40 vende, kërkon që 11 korriku të shpallet “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

Votimi kaloi me 84 vende që votuan pro dhe 19 kundër. Gjithsej 68 vende abstenuan.

Duke dënuar mohimin e gjenocidit të Srebrenicës, rezoluta denoncoi glorifikimin e krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit dhe kriminelëve të luftës./aa