Kina vazhdoi edhe sot stërvitjen e saj ushtarake që ka rrethuar Tajvanin me të cilin ka mosmarrëveshje sovraniteti.
Në deklaratën nga Komanda e Frontit Lindor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze thuhet se në ditën e dytë të stërvitjes do të organizohen operacione të përbashkëta brenda dhe jashtë zinxhirit të ishullit me fokusin në "kapjen dhe kontrollin e fushave të betejës dhe zonave kritike".
Ushtria kineze njoftoi se filloi stërvitjen ushtarake rreth ishullit tre ditë pasi kreu i ri i Tajvanit, Lai Ching-te mori detyrën.
Stërvitja ushtarake dyditore e quajtur "Shpata e Përbashkët-2024A" do të zhvillohet rreth Ngushticës së Tajvanit, rajoneve veriore, jugore dhe lindore të ishullit të Tajvanit dhe ishujve Kinmen, Matsu, Wuqiu dhe Dongyin në afërsi të sipërfaqes kryesore tokësore.
Stërvitja në të cilën marrin pjesë njësi nga forcat tokësore, ajrore, detare dhe raketore të ushtrisë kineze, kishte për qëllim "dënimin e veprimeve kundër pavarësisë" dhe "paralajmërimin kundër ndërhyrjes së fuqive të huaja".
Në shkrimin komentues të botuar sot në gazetën e ushtrisë kineze PLA Daily, përsëritet pikëpamja se stërvitja "synon të ndëshkojë separatistët e Tajvanit dhe të paralajmërojë fuqitë e huaja" ndërsa theksohet se qëllimi është që t'i "jepet përgjigje në gjuhën që kupton" liderit të ri të Tajvanit, Lai i cili kishte qëndrim në drejtim të pavarësisë në fjalimin e tij të parë si president.
- Stërvitja erdhi pas ceremonisë së betimit të Lait
Stërvitja e cila krijoi një bllokadë rreth Tajvanit, erdhi pas ceremonisë së betimit më 20 maj të Lai Ching-te, udhëheqësit të sapozgjedhur të qeverisë në ishull.
Lai Ching-te, kandidati i Partisë Demokratike Progresive (DPP) në pushtet, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale në Tajvan më 13 janar, u betua në fillim të kësaj jave.
Qeveria e Pekinit e sheh partinë në pushtet në Tajvan, DPP si "pro-pavarësisë" dhe udhëheqësin e partisë Lai, si një "separatist të pandreqshëm".
Tajvani për të cilin Kina pretendon se është pjesë e territorit të saj, ka pavarësinë "de facto" që nga viti 1949. Ndërkohë bëhet e ditur se vazhdon mosmarrëveshja për ndarjen dhe sovranitetin e cila u shfaq pas luftës civile mes territorit kryesor tokësor të Kinës dhe Tajvanit.
Kina, e cila ka rritur presionin ushtarak mbi Tajvanin vitet e fundit, thotë se nuk do të përjashtojë përdorimin e forcës nëse është e nevojshme për të ribashkuar ishullin me territorin kryesor tokësor./aa