Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot se vitin tjetër pritet të jetë gati projekti “Smart City”, përmes të cilit parashikohet që akset kryesore dhe zonat turistike të jenë të monitoruara përmes inteligjencës artificiale.

Në eventin “Rrugë të Sigurta, turizëm i sigurt”, ku morën pjesë zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministrja e Mjedisit Kumbaro si dhe drejtues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, Balla tha se projekti vjen si bashkëpunim i qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA)

“Dua t’ia them gjithkujt që nuk ka asnjë gjobë rrugore sot, që nuk është e dokumentuar me foto dhe video. Dhe e solla këtë në vëmendje sepse  mendoj që ka nevojë për një ndërgjegjësim të madh të drejtuesve të mjeteve, që nuk ke më asnjë shans që të mendosh se nuk të shohin, se nuk të ndjekin me radar, se nuk të fotografojnë, madje po të duash ta çojmë edhe me video ta kesh për kujtim”, u shpreh Balla.

“Nuk jemi gati, do kisha dashur shumë që të ishim gati me projektin “smart city”, të zbatuar, por jam shumë krenar që falë mbështetjes së Kryeministrit, dhe falë mbështetjes dhe bujarisë të qeverisë të EBA, në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, përfshirë këtu dhe zonat turistike, ne do të kemi gati, shpresoj vitin e ardhshëm, edhe pjesën që lidhet me sigurinë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës private, edhe monitorimin e trafikut, në  të gjitha qytetet kryesore të vendit dhe në të gjitha zonat turistike përmes një sistemi gjithëpërfshirës zgjedhjesh teknologjike, inteligjencë artificiale, të cilat na mundësojnë kalimin në një nivel tjetër të sigurisë publike”, vijoi Balla.

“Dhe kur flasim për inteligjencën artificiale po jap vetëm një shembull. Inteligjenca artificiale sot ka zëvendësuar në vende te të cilat po marrim eksperiencë edhe ata që bëjnë detyrën e bay-wach it, pra përmes monitorimit me kamera të bregdetit, të vrojtuesve në shqip. Të vijmë edhe me zgjidhje inteligjente edhe sa i përket kësaj pjese”, tha Balla./ata