Pas presidentes Vjosa Osmani, edhe kryeministri Albin Kurti priti sot në takim komandantin e KFOR-it gjeneralmajor Ozkan Ulutash, me të cilin diskutoi mbi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, si dhe për situatën e sigurisë në vend.

Në takim u vlerësua se komunikimi dhe takimet e rregullta janë në shërbim të bashkërendimit sa më të mirë ndërmjet institucioneve të sigurisë.

Kurti falënderoi Ulutash për bashkëpunimin e mirë, rolin dhe kontributin e tij dhe KFOR-it për sigurinë dhe paqen në Kosovë.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka dalë me detaje nga takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Në njoftim thuhet se takimi vjen pas veprimeve të fundit të ndërmarra nga Policia e Kosovës që rezultoi me mbylljen e gjashtë njësive të Bankës së Kursimeve Postare në veri.

Ulutash vuri në dukje se “veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe se duhet të ruhet koordinimi i duhur midis të gjitha palëve të interesuara.”

Ai gjithashtu përsëriti përkushtimin e palëkundur nga KFOR-i për të vazhduar zbatimin e mandatit për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, përsëriti mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura për të mirën e të gjitha komuniteteve.

“Roli i KFOR-it vazhdon të jetë thelbësor për stabilitetin rajonal dhe se misioni i udhëhequr nga NATO mban një qëndrim të dukshëm dhe fleksibël në terren që na lejon të përgjigjemi në mënyrë efektive ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë; në përgjigje të dhunës së viteve të kaluara, ne kemi bërë përforcimin më të madh të KFOR-it në një dekadë, duke dislokuar pothuajse 1000 trupa shtesë; ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative”, tha kreu i KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it theksoi se “përparimi drejt stabilitetit të qëndrueshëm në mbarë Kosovën kërkon më shumë sesa praninë e KFOR-it”.

Siç tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në Prishtinë, nëntorin e kaluar: “Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës dhe nga respektimi i angazhimeve ekzistuese”, përfundon komunikata e KFOR-it.

/KosovaPress/