Në Shqipëri ka filluar punimet Ministeriali për Arsimin e Lartë Europian dhe Procesin e Bolonjës, duke mbledhur së bashku ministra, zëvendësministra, përfaqësues të instucioneve të ndryshme dhe përfaqësues të organizatave nga vende të ndryshme të botës.
Në ceremoninë e hapjes së eventit dyditor në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në fjalën e tij u shpreh se duhet një organizatë si NATO, por sipas tij për arsimin.
"Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë delegacionin nga Ukraina që kanë ardhur dhe të gjithë e dimë pse dua ta bëj këtë gjë. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu edhe presidentin e Këshillit të Arsimit të Lartë të Türkiyes (Erol Özvar) që na ka nderuar me praninë e tij si dhe ministrin e Arsimit të Hungarisë (Balazs Hanko-ministër i Shtetit për Inovacionin dhe Arsimin e Lartë) dhe thjesht i veçova këta dy persona, pasi u jemi shumë mirënjohës për gjithçka që kanë bërë e po bëjnë këto dy vende, së bashku me ne për të na ndihmuar në këtë rrugëtim tonin, për të ndërtuar sistemin tonë të arsimit siç duhet e për të mësuar më shumë nga më të mirët. Si Türkiye ashtu dhe Hungaria, kanë qenë vende që kanë ardhur tek ne më shpejt se Bashkimi Europian", tha Rama.
Rama shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, mund të jenë pjesë e të gjithë atyre mundësive që ofron Zona Evropiane e Arsimit të Lartë, sipas tij, duke patur mundësinë që të shfrytëzojnë të gjithë atë dije të madhe që ekziston në gjithë këtë zonë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj u shpreh se kjo konferencë ministeriale nuk ëshhtë thjesht vetëm një forum diskutimi, por është një platformë veprimi për të ardhmen e arsimit evropian.
"Jemi këtu për të ndarë përvojat tona të ndryshme dhe të përbashkëta, përpjekjet tona dhe sfidat dhe për të caktuar objektivat e rinj, për të çuar më tej arsimin e lartë në mbarë Evropën. Sistemi i arsimit të lartë shqiptar i është nënshtruar rritjeve dhe përmirësimeve të mëdha, përmes partneritetit ndërkombëtar dhe besoj se përmes ndërkombëtarizimit ne mund të rrisim cilësinë e universiteteve", tha Manastirliu.
Türkiye përfaqësohet në këtë ministerial nga kryetari i Këshilli të Arsimit të Lartë (YÖK), Erol Özvar, i cili mbajti fjalën e tij në panelin e parë me temë "Ndërtimi i urave-Avancimi i inovacionit, cilësisë dhe partneritetit".
Eventi organizohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë dhe mbledh përfaqësues të lartë të arsimit nga Zona Evropiane e Arsimit të Lartë dhe vende të tjera. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Zona Evropiane e Arsimit të Lartë përfshin 49 vende anëtare me të drejtë vote dhe 9 anëtarë konsultativ, duke përfshirë partnerë në Europë dhe në vendet e tjera të botës.
Sipas organizatorit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, përmes këtij ministeriali, synon riafirmimin e vlerave themelore të arsimit, duke përfshirë lirinë akademike, autonominë institucionale dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, konferenca përmes disa paneleve do të ketë në fokus çështjet rreth inovacionit, cilësisë dhe dimensionit social në arsimin e lartë, inkurajimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë. Në ditën e dytë në kuadër të ministerialit, do të zhvillohet Forumi Global Politik, ku fokusi i diskutimeve do të jetë mbi Procesin e Berlinit dhe mundësitë dhe sfidat për njohjen e kualifikimeve akademike dhe sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë./aa