Zëdhënësja e PD, Mirela Karabina deklaroi sot se një raport i Avokatit të Popullit tregoi se një në tre shqiptar jetoi në kushte të vështira vitin që shkoi, ndërsa ndihma ekonomike është më pak se 1/10 e nevojës së minimumit jetik.
Në një deklaratë për shtyp, Karabina tha se ky është rezultat i një qeverisjeje të korruptuar, e cila përpara qytetarëve të zakonshëm, ka zgjedhur oligarkët.
“Ky është rezultat i një qeverisjeje të korruptuar, e cila përpara qytetarëve të zakonshëm, ka zgjedhur oligarkët, përpara halleve të njerëzve, ka preferuar komoditetin e saj, përpara rritjes së ndihmës ekonomike, ka vijuar me koncesione korruptive miliona euro, që do të mjaftonin për të rritur rrogat dhe pensionet dhe për t’u ardhur në ndihmë familjeve të varfëra”, tha ajo.
Sipas Karabinës, Rama dhe qeveria e tij dështuan të luftojnë varfërinë jo sepse nuk patën mundësi, por sepse nuk deshën.
“Partia Demokratike e Shqipërisë me programin e saj të djathtë jo vetëm që do të rrisë rrogat dhe pensionet, do të reduktojë barrën fiskale për bizneset, do të stimulojë hapjen e vendeve të reja të punës, duke krijuar klimë të favorshëm për biznesin e huaj dhe atë vendas, do të shumëfishojë ndihmën ekonomike për shtresat në nevojë, por, mbi të gjitha, do të bëjë gjithçka për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin, si një gangrenë vdekjeprurëse për ekonominë dhe për lulëzimin e saj”, shtoi ajo.
Me programin dhe ekipin e saj, tha Karabina, Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur për ta shndërruar Shqipërinë nga një vend i pajetueshëm në një vend normal./ata