Një rritje e kohëve të fundit e çmimit të arit është simptomatike e ndryshimit të rendit botëror dhe fillimit të një epoke të re konflikti dhe pasigurie. Qeveritë dhe bankat qendrore e kanë parë prej kohësh metalin e çmuar si një burim potencial të stabilitetit monetar dhe sigurisë ekonomike, dhe kjo herë nuk bën përjashtim.

Nga Harold James

Ari është rikthyer në sistemin monetar ndërkombëtar. Mbi 50 vjet më parë, presidenti amerikan Richard Nixon “mbylli dritaren e arit” (duke i dhënë fund këmbimit të dollarit në ar me normë) dhe bota e braktisi fiksimin e saj me metalet e çmuara. Një epokë e re e monedhës FIAT kishte filluar. Por tani, monedhat FIAT po sfidohen nga shqetësimet fiskale dhe teknologjia e re dhe çmimi i arit ka arritur nivelet më të larta të të gjitha kohërave mbi 2,400 dollarë për 28.3 gramë.

Investitorët e arit, natyrisht, argumentojnë se metali mbetet një investim ideal për ruajtjen e vlerës në planin afatgjatë. Por është gabim të besohet se ari është i qëndrueshëm. Përkundrazi, çmimi i tij mat një kurbë febrile me kulme që tregojnë nxitim për siguri në një botë ku vlerat e tjera janë të rrezikuara. Çmimi ra në vitet 1990, kur fundi i Luftës së Ftohtë – dhe “fundi i historisë” – kishin rrënjosur një ndjenjë të re paqeje dhe stabiliteti. Në fillim të mijëvjeçarit, çmimi ishte nën 300 dollarë për 28.3 gramë dhe rritja e tij që nga vitet 1970 ishte nën normën e përgjithshme të inflacionit. Por çmimi u rrit pas krizës financiare të vitit 2008 dhe pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19; dhe këtë e ka bërë sërish këtë vit.

Pjesa më e madhe e kërkesës së rritur për ar është nxitur nga bankat qendrore. Kina, e cila kishte rezerva relativisht të vogla ari prej 395 tonë në vitin 2000, tani ka 2260 tonë. Ajo e rriti ndjeshëm stokun e saj të arit në vitin 2009 dhe 2015, të cilat tani e dimë se ishin vite për një botë që po bëhej më skeptike për globalizimin. Rusia dhe Turqia gjithashtu filluan të akumulonin fonde të mëdha lufte pas vitit 2015, dhe e njëjta tendencë është gjithashtu e dukshme kohët e fundit në Bashkimin Evropian, ku Republika Çeke dhe Polonia kanë shtuar rezervat e tyre.

Shqetësimet e sigurisë janë në qendër të politikës së re të arit. Kur Republika Çeke u bashkua me NATO-n në mars 1999, ajo shiti menjëherë pothuajse të gjithë stokun e saj të arit. Mesazhi nuk mund të ishte më i qartë: një garanci e besueshme sigurie mënjanonte çdo nevojë për një mbrojtje monetare. Megjithatë, në tremujorin e fundit të vitit 2023, Banka Kombëtare Çeke bleu 19 tonë ar dhe ajo ka sinjalizuar synimin e saj për ta çuar këtë shifër deri në 100 tonë. Mesazhi këtë herë është po aq i qartë: anëtarësimi në NATO nuk mjafton. Dhe me afërsinë e saj të madhe me Rusinë, Polonia gjithashtu i ka bërë të qarta motivimet e saj, aq sa ndërtesa e bankës qendrore aktualisht ka një poster gjigant që njofton se mban 360 ton ar.

Lidhja e arit me sigurinë ka baza të thella historike në Poloni, ku ishte thelbësore për idenë origjinale të shtetësisë. Kur Polonia u rithemelua pas Luftës së Parë Botërore – pas shkatërrimit të perandorive austriake, gjermane dhe ruse – monedha e saj e re mori si emër fjalën polake për “të artë” (złoty). Më pas, në shtator 1939, Polonia kreu një operacion dramatik për të evakuuar arin e saj në Francë, nëpërmjet Rumanisë, Turqisë dhe Libanit. Kjo dërgoi mesazhin se Polonia ekzistonte ende, pavarësisht pushtimit gjerman.

Por përdorimi më i jashtëzakonshëm i arit si burim stabiliteti ishte eksperimenti sovjetik në vitin 1922. I shtyrë nga udhëheqësi më i shquar bolshevik polak, Felix Dzerzhinsky, shefi i policisë sekrete, shteti nxori chervonet (monedha “ari i kuq”) për larguar inflacionin.

Në fillim të viteve 1870, kur standardi i arit u shfaq si baza e rendit monetar, ai solli një sistem të ri politik ndërkombëtar. Njëri vend pas tjetrit – duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Italinë – donte të stabilizonte monedhën e tij në vazhdën e luftërave civile shkatërruese. Në të njëjtën kohë, standardi i mëparshëm monetar, argjendi, po tërhiqej, pas humbjes së Francës në Luftën Franko-Prusiane. Francezët kishin drejtuar më parë një sistem të përbashkët ari dhe argjendi, por ata qenë ë detyruar të paguanin një faturë të kushtueshme dëmshpërblimi në monedha argjendi. Argjendi përmbyti tregun dhe çmimi i tij ra. Ari ishte gjithçka që kishte mbetur.

Braktisja e një sistemi paralel valute argjendit në vitet 1870 mund të jetë një precedent për botën e vitit 2024. Në fund të fundit, ka spekulime të mëdha për rrëzimin e afërt të dollarit nga froni, i cili do të ishte ekuivalenti modern i demonetizimit të argjendit. Që nga viti 2020, qeveria amerikane ka grumbulluar deficite të mëdha fiskale dhe tani duhet të merret parasysh rreziku që një administratë e re Trump do të përpiqej ta zhvlerësonte dollarin në mënyrë që të shkatërrojë konkurrentët e huaj dhe të krijojë më shumë vende pune amerikane. Për më tepër, duhet të shqetësoheni edhe për stabilitetin e sistemit financiar dhe për përpjekjet e vetë rivalëve amerikanë për të zëvendësuar dollarin.

Kërkimi për stabilitetin e artë është kështu një përgjigje ndaj një bote në ndryshim të vazhdueshëm. Ai pasqyron një besim në rritje se po shfaqet një rend i ri politik. Neë Development Bank në Shangai (ose “banka BRICS”) po kërkon në mënyrë aktive një zëvendësues të dollarit në formën e një monedhe sintetike dhe gjithnjë e më shumë vende po përpiqen të bashkohen me grupimin BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina , Afrika e Jugut, plus Egjipti Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe). Ata e konsiderojnë monedhën e gjelbër sot si ekuivalentin e argjendit në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë: një hegjemon monetar i vjetëruar.

Një shekull më parë, ndërsa bota po i kthehej standardit të arit pas Luftës së Parë Botërore, John Maynard Keynes e përshkroi metalin si një “relike barbare”, sepse ai ishte monedha e konfliktit. Kur të rikthehet stabiliteti politik, çmimi i arit do të bjerë. Ndërkohë, qeveritë dhe bankat qendrore që kanë investuar në ar do të kenë blerë një mbrojtje në një botë të pasigurt./Tema