Kryeministri Edi Rama tha sot se “ne shqiptarët jemi përgjegjës të barabartë për ecurinë e fatit të atij projekti etik për të ardhmen e përbashkët të banorëve të këtij kontinenti në rrugën e fateve tona të pandashme europiane”.
Në takimin me shqiptarët në pallatin e sportit “Busto Arsizio” në Milano, ku janë mbledhur mijëra shqiptarë, kryeministri Rama tha se “mora shumë mesazhe nga shqiptarët e Italisë pas asaj valles kuqezi në zemër të Greqisë. Më bëri përshtypje në më shumë se një rast dërguesit nga Italia më thoshin që kur të vija në Milano nuk duhet të harroja se edhe ju keni vuajtur, dukej sikur ndjeheshit të përjashtuar nga një garë dhimbjesh historike, pothuajse xhelozë për faktin se vuajtjet e tmerrshme të shqiptarëve të Greqisë e bëjnë më heroike nga të tjerat historinë e stërmundimshme të afrimit të shqiptarëve me Europën dhe të afirmimit të tyre si qytetarë europianë”.
“Ndanin edhe ata mesazhet e tyre, histori të trishta e të pamundura për tu futur në tablonë e Europës, lirive e të drejtave të njeriut. Janë histori që e kanë vendin në disa peizazhe të zymta të shpirtit njerëzor. Nuk kanë lidhje me territoret e plagëve të mëdha të luftërave të hapura, por me vuajtjet pa zë nga konfliktet e fshehta të një kohe kur traumat e përpjekjes për t’u përshtatur dhe për t’u pranuar si të përshtatshëm, ishin thjesht domosdoshmëri të procesit të integrimit”, nënvizoi Rama.
Jo, vijoi Rama, ishte një kohë kur bashkimi demokratik europian nuk ishte në gjendje t’ia kërkonte e jo më t’ia vinte emrin e përbashkët të Europës ku jetojmë sot.
“Ja si erdhi koha ne shqiptarët jemi përgjegjës të barabartë për ecurinë e fatit të atij projekti etik për të ardhmen e përbashkët të banorëve të këtij kontinenti në rrugën e fateve tona të pandashme europiane. Ku shtetet e Europës demokratike o ja dalin në krye të gjithë së bashku si europianë pa dallim o mbetemi mbrapa të gjithë bashkë në një Europë që sot është e sfiduar si asnjëherë më parë qysh nga Llufta e Dytë Botërore.
Gjermania e quajti ribashkim që në minutën e parë dhe ia doli në krye pa pritur dhe pa kërkuar që gjermanët lindorë të bëheshin të përshtatshëm në një proces me kritere, standarde, por edhe me lojëra politike të diktuara nga zgjedhjet e radhës lart e poshtë në Europë”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “Bashkimit Europian iu desh të zvarritej dhjetëra vite me të ashtuquajturin zgjerim deri sa carizmi rus u shfaq duke hapur luftën e parë pushtuese në këtë kontinent pas 77 vjetësh duke e bërë Europën të fillojë të kuptojë me në fund se duhet të ribashkohet një orë e më parë përmes ujërave të demokracisë jo të zgjerohet me hapin e breshkës dhe përmes kanaleve të burokracisë”./ata