Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se 421 mijë shqiptarë të Italisë do të përfitojnë nga marrëveshja e sapolidhur e pensioneve me Italinë.
Në takimin me shqiptarët e Italisë në Milano, Rama u shpreh se kjo u arrit falë angazhimit personal të kryeministres së Italisë Giorgia Meloni.
“Falë angazhimit personal të kryeministres suaj në Itali, Giorgia Meloni, një mike e paepur e Shqipërisë dhe një zëdhënëse shumë e fortë e jona në BE, ne ja dolëm të vendosim më në fund pas një përpjekje të gjatë por të palodhur, një gur të çmuar dhe të munguar në kurorën e drejtësisë që ju e keni merituar plotësisht me kontributet tuaja për këtë atdhe të dytë tuajin, ku ju e heshtët përgjithmonë atë zilen e tmerrshme ‘Ishte shqiptar’ që ju shoqëroi drejt triumfit tuaj si europianët e rinj të Italisë”, tha Rama.
“Sot unë kam ardhur këtu për t’ju thënë se edhe Shqipëria tanimë po e fiton njësoj si ju, betejën e saj të drejtë pa e ndalur vrapin dhe duke e ruajtur të palëkundur besimin në kërkim të kurorës së munguar të drejtësisë për flamurin dhe vendin e saj në familjen e shteteve të Europës”, shtoi ai./ata