Kryeministri Edi Rama u ndal sot te lidhjet historike që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Italisë në shekuj.
Në takimin me shqiptarët e Italisë në Milano, Kryeministri theksoi se “çdo kështjellë politike është ndërtuar me gur të mbledhura nga shtresat e kohës”.
“Çdo bashkësi e krijuar nga politika si etnitet juridik nuk është asgjë tjetër vetëm një përzierje ripërtëritëse e elementëve që janë ndërthurur. Edhe në pellgun tonë mesdhetar ju, shqiptarët e Italisë dhe ata të Greqisë më së pari, jeni sot një nga shëmbëlltyrat domethënëse të një profecie të përbashkët të themelimit të një qytetërimi europian, më i lirë, më i drejtë dhe gjithëpërfshirës se sa paraardhësit grekë e romakë”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se “politika në dukje më të çelikta mund të rrënohen si kështjella rëre kur etja për pushtet e individëve që duan të kontrollojnë të djeshmen gërryen vlerat e përbashkëta njerëzore dhe kthehet në të tatëpjetën shkatërruese drejt së shkuarës”, shtoi ai.
Duke folur për lidhjet e hershme historike mes dy popujve, Rama u ndal te periudha kur fisnikëria shqiptare fitoi qytetarinë venedikase dhe kur Skënderbeu u nderua me titullin e madh të Atletit të Krishtit, nga Selia e Shenjtë.
“Dhe një prej shëmbëlltyrave më domethënëse të asaj përzierje është ajo e kohës kur fisnikëria shqiptare fitoi qytetarinë Venedikase, bashkë me të drejtën e përfaqësimit dhe kur Skënderbeu ynë u bë flamuri i qëndresës së perëndimit ndaj furisë së ardhur nga lindja, ne u nderuam nga Selia e Shenjtë me titullin e madh të “Atletit të Krishtit”, por nga ana tjetër njihet botërisht edhe fakti se heroi ynë kombëtar ishte edhe një luftëtar besnik i mbretit të Napolit me të cilin e lidhte pakti që i hapi rrugë konsolidimit të një bashkësie shqiptare që nga Pulia deri në Sicili ku ruhet në 51 komuna italiane sot e gjithë ditën gjuha e Arbërisë skënderbejane. Prej atyre rrënjëve të vjetra arbërore dolën në shekuj familje të mëdha e individë të shquar, që lanë gjurmë në historinë e Italisë; Albanët prej të cilëve doli edhe një papë shqiptar, Durrazzo-t e Xhenovës, Krispët e Risorgimento-s, Gramshët e rezistencës antifashiste, e plot të tjerë”, u shpreh Rama.
“Ju, shqiptarët e Italisë e këputët me forcën e mërisë ndaj diktaturës së varfërisë dhe me duart e ëndrrave tuaja për Europën e prosperitetit, kërthizën me tokën mëmë përmes po atij deti ku paraardhësit tanë të vjetër, arbëreshët, e panë t’ju këputet ajo kërthizë me shpatat e makthit të tyre”, vijoi ai.
“Ndryshe nga ju, që jeni katranipërit e sotëm të Skënderbeut, që vetëm pak vite më pas larg Shqipërisë rifilluat të ktheheshit për t’u çmallur me rrugët e vendlindjes ata, vëllezërit e motrat e Gjergj Kastriotit, kapërcyen shekuj në pamundësi për ta riprekur me sytë e përmalluar Arbërinë”, vuri në dukje Kryeministri.
“Arbëria vdiq pas lëngimesh të gjata shumë larg syve të tyre, e u ringjall me emrin Shqipëri e me një flamur të ri, ndërkohë që trojet arbëreshe të Italisë mbetën sëndyku i rrobave, i qirinjve dhe kujtesës së Arbërisë, mbuluar me flamurin e vjetër të legjendës dhe të historisë së Heroit tonë Kombëtar”, tha ai.
“Por nga ana tjetër janë shumë domethënëse janë edhe gjurmët historike të Italisë në Shqipëri, aty ku Jul Qezari sfidoi Pompeun; aty ku Napoli, Amalfi e Venezia sollën tregtarë e arkitektë, ngritën kisha e ndërtime; aty ku kështjella e Rozafës së Shkodrës u kthye në simbolin e rezistencës veneciane kundër fuqisë otomane dhe u përjetësua në pikturën e gjeniut të Rilindjes, italiane Paolo Veronese, e cila qëndron sot e gjithë ditën në sallën e Këshillit të Madh në Venezia”, u shpreh Kryeministri Rama.
“Ato gjurmë shtrihen nëpër trupin e Shqipërisë ndër shekuj drejt kohëve më të vona, deri aty ku mori jetë plani urbanistik i arkitektëve fiorentinë mbi të cilin u vu guri i parë i Tiranës moderne,e më pas aty ku nga përqafimi i dhunshëm i Shqipërisë dhe Italisë fashiste, shtrënguar mes historisë së një fuqie të madhe adriatike që e kishte parë mëmëdheun tonë si simotër dhe fuqisë megalomanianike të një Italie të verbuar nga ëndrrat e vjetra perandorake, u hap një plagë e rëndë prej së cilës mbeti lavdia e luftës antifashiste, po edhe gjurma e kulturës së asaj kohe, që sot e gjithë ditën është e shenjuar mbi të gjitha në asamblin historik të bulevardit kryesor të Shqipërisë”, përfundoi Rama./ata