Terapia me anë të thumbimit të bletëve, e njohur ndryshe si “apiterapia” është një metode e lashtë e mjekësisë popullore që përdoret për kurimin e disa sëmundjeve të brendshme.
Zakonisht bletërritësit e kanë aplikuar në kushte shtëpie, por tashmë ka një qendër të mirëfilltë për terapinë e bletëve. Gjendet pranë InfoKullës në Mirditë, në atë të Rrugës së Kombit. Bletërritësi Gjovalin Gega thotë se procedura realizohet me bletëve që lëshojnë thumbin e tyre në pjesë të caktuara të trupit.
“Terapia e bletëve, ajri që ka bleta hyn në organizmin e njeriut. Ndihmon në ftohje. Nëse të dhemb gjuri, e pastron me vendos bletën. Duhet ta dije njeriu a ka alergji më para. Zgjat 15 ditë terapia. Përdoret shumë”, tregoi Gjovalin Gega, bletërritës në Mirditë.
Specialisti Preng Pepa dhe përgjegjësi i InfoKullës, Nik Nikolli thanë se Mirdita ka potencial të madh për zhvillimin e sektorit të Bletarisë dhe prodhimin e mjaltit me cilësi të lartë.
“Mirdita ka një territor të përshtatshëm për rritjen e bletëve. Ka një klimë me mikroklimat e saj . Interesi i banorëve për të shtuar numrin e bletëve dhe vizitorve për të marrë produkte të sigurta dhe bio. Është ngritur dhe shtëpia e bletëve. Kemi bletarë shumë të pasionuar. Nuk përdorin medikamente”, tha Nik Nikolli përgjegjës i Info Kulla Mirditë.
Rëndësi ka të sensibilizohen ato që kanë dorë në zhvillimin e bletarisë. Duke shtuar fondet. Duke pasur mundësi me shërbye në energji, ujë të pijshëm, etj”, tha Preng Pepa, specialist bletarie.
Qendra e terapisë u çel në Ditën Ndërkombëtare të Bletëve, në një aktivitet ku morën pjesë bletërritës nga Mirdita e Lezha./Shqiptarja