Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mori pjesë në një tryezë diskutimi në Institutin “Hudson” në Uashington, ku u përqendrua në sfidat e sigurisë dhe potencialin e zhvillimit në Ballkanin Perëndimor.

Duke përshkruar zhvillimin pozitiv të ekonomisë së Kosovës, por edhe të forcimit të strukturave të sigurisë dhe forcave të saj të armatosura, ajo theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për vullnetin e palëkundur për anëtarësim në NATO dhe BE.

Diskutimi në Institutin “Hudson” theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të përshpejtuar progresin drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të shumta të të pranishmëve, ajo theksoi se Serbia është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë jo vetëm për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, por për të gjithë rajonin.

“Si aleate, madje edhe satelit i Rusisë, ajo jo vetëm që sulmon shtetet fqinje, siç ishte rasti me 24 shtatorin e vitit të kaluar në Kosovë, por edhe i garanton Rusisë, Kinës dhe tashmë edhe Iranit hapësirë të mjaftueshme për të vepruar në Evropë nga thellësia e Ballkanit Perëndimor”, tha ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e ndërrimit të strategjisë së demokracive perëndimore në raport me Serbinë si kundërshtaren më të fuqishme të vlerave Perëndimore dhe demokratike në Evropë dhe domosdoshmërinë e konfrontimit të Serbisë me rrezikun që paraqet për rajonin, por edhe për paqen në Evropë. /KosovaPress/