Pas takimit me shqiptarët e Italisë të organizuar në Milano në kuadër të turit me diasporën përmes një postimi në rrjete sociale Kryeministri Edi Rama falenderon emingrantët për mikpritjen si dhe u kërkon ndjesë qytetarëve që nuk mundën dot të futeshin në sallën e tejmbushur.

Madje ai ka treguar dhe bisedën që ka pasur me autoriteteve të sigurisë në sallën që ishte mbushur me shqiptarë, që kishin frikë për ndonjë aksident për shkak të mbingarkesës.

“FALEMINDERIT është fjala e rastit, po që në këtë rast nuk e thotë dot as së largu ndjenjën krejt të veçantë të kësaj dite të jashtëzakonshme shqiptarie në Itali. Përulësisht mirënjohës për emocionin e paharrueshëm dhe përulësisht ndjesë mijërave që mbetën pa u futur dot në sallën, që u mbush tej kapacitetit.Nuk do t’i harroj as fytyrat e shqetësuara të autoriteteve të sigurisë, që kishin frikën e ndonjë hataje nga mbingarkesa e shkallëve, teksa njerëzit kërkonin të hynin akoma më shumë. Ç’të bëja, u thashë qetësohuni, ne jemi ata të maleve mbi anije, as nuk kthehemi dot mbrapa as nuk na ndalon dot gjë të vazhdojmë përpara. E marr me mend ç’menduan, po s’po e them, rëndësi ka që kur u krye filluan të qeshin edhe ata. Shumë shumë shumë faleminderit”, shkruan Rama./Shqiptarja