Drejtoresha e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli deklaroi sot se sulmi kibernetik në infrastrukturën digjitale nuk preku të dhënat e Censit të kryer në 2023-shin.

Gjatë prezantimit të raportit vjetorë për vitin 2023, Dhuli u shpreh se kemi rifilluar punën për ringritjen e sistemeve.

“Kishim një periudhë ndalimi dhe vlerësimi të dëmeve të shkaktuara, por edhe sipas rekomandimeve të AKCESK për ringritjen e sistemeve më të forta. Nga 40 kompjutera të infektuar, 6 ishin të dëmtuar pjesërisht. Të dhënat e Censit nuk janë prekur”, u shpreh Dhuli.

Sipas saj, INSTAT në fund të muajit do të ketë gati database dhe sistemet plotësisht aktive.

“Pavarësisht sulmeve, INSTAT nuk ndërpreu veprimtarinë statistikore dhe ishte koherent për çdo publikim, pavarësisht vështirësisë. Jemi konsideruar si institucion i rëndësishëm dhe do të jemi të monitoruara dhe dhe mbrojtura nga AKCESK”, deklaroi Dhuli.

Korrikun e 2022-shit, Shqipëria u vu nën një sulm të paprovokuar kibernetik, me synim për të paralizuar shërbimin elektronik për të vjedhur të dhënat nga sistemi i komunikimeve qytetare.

Një hetim i thellë dhe i gjatë i kryer nga ekspertiza më e mirë botërore ndaj sulmeve kibernetike ka konfirmuar se, sulmi kibernetik u orkestrua nga Republika Islamike e Iranit.

Në muajin shtator autoritetet njoftuan se sërish sistemet u vunë nën sulm kibernetik. Ndërsa më datë 1 shkurt 2024, Instituti i Statistikave u përball me një sulm kibernetik që synonte infrastrukturën e tij teknologjike./ata