Kryeministri Edi Rama siguroi sot se, ashtu siç nuk u ndal Reforma në Drejtësi, as nisma e re antikorrupsion nuk ndalet.

Gjatë prezantimit të projektrezolutës antikorrupsion në Kuvend, Kryeministri u bëri thirrje deputetëve të opozitës ta votojnë sot draftin e rezolutës.

“Po nuk e gjetët këtë forcë për ta bërë, mos e bojkotoni nesër komisionin e posaçëm parlamentar që do të ngrihet menjëherë pas miratimit të saj. Sa herë ju kam thënë ‘mos e bëni këtë dhe këtë bëjeni’, ka dalë siç ju kam thënë, jo siç keni bërë. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, jo se unë jam më i zgjuar apo më zoti sesa ju, por sepse ju nuk keni dashur kurrë ta mësoni se vendimmarrjet me shikimin deri te hunda jote, rrugën që duket shumë e shkurtër ta bëjnë pafundësisht të gjatë”, tha Rama.

“Ndaj ne jemi këtu dhe ju jeni aty. Keni akoma shumë për të parë përpara, se çfarë ne kemi nisur 10 vite më parë të bitiset 5 vite më pas, kur flamuri i Shqipërisë, doni apo nuk doni ju, do të jetë gati për t’u ngulur në oborrin e shteteve të BE-së në Bruksel”, përfundoi Kryeministri duke iu drejtuar deputetëve të opozitës./ata