Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se projektrezoluta antikorrupsion buron nga nevoja e thellimit të kësaj lufte dhe reflekton nivelin e rritur të sfidës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE me të gjitha detyrimet që burojnë prej saj.
Rama theksoi se “dallga e re reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, nis me votimin e rezolutës së propozuar nga Partia Socialiste për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Sipas tij, “kjo nismë që merr jetë me këtë rezolutë nuk ka të bëjë me komentet që janë bërë nga burime të ndryshme”.
“Janë fantazuar qëllime të fshehta si vënia nën kontroll e SPAK, apo se ne jemi kujtuar pas 10 vitesh të luftojmë korrupsionin. Jo, ne jemi në luftë me korrupsionin prej 10 vitesh ndaj ka ndodhur edhe reforma në drejtësi bashkë me lindjen e SPAK, i cili ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen pa kushte të kësaj shumice”, tha Rama.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës në sallë, Rama tha se “SPAK është ilaçi i hidhur që o e pi, o vdes dhe që kush e pi një herë po njëherë jo, jo që nuk ka shans të vetëpastrohet dhe të vazhdojë para, por vetëm zgjat agoninë e vetë dhe tretet siç po treteni ju te rrugica e shpresës”.
“Pikërisht pse ne jemi futur në luftë me korrupsionin prej 10 vitesh ka ndodhur edhe transformimi rrënjësor i shërbimeve publike përmes digjitalizimit, reforma e prokurimeve publike bashkë me 1 miliard euro të kursyera me tendera dhe ngjitja e Shqipërisë nga vendi i fundit në të parin në pikëzimin rajonal për këtë fushë”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, ndaj ka ndodhur edhe çelja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE./ata