“Projektligji për investimet strategjike i propozuar nga qeveria, do të frenojë projektet investuese në fushën e turizmit për strukturat akomoduese që nuk ndodhen në zona me përparësi zhvillimi”.
Kështu u shpreh sot në një dalje për mediet , Sekretari i Partisë Demokratike për Programin, deputeti Arbi Agalliu.
Sipas tij, PD ngre shqetësimin se përfitues deri me tani në shumicën e rasteve nuk kanë qenë investitorë seriozë me emër ndërkombëtar por klientë afër qeverisë.
Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, po shqyrtohet projektligji për “Disa ndryshime në ligjin nr 55/2015 për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”.
Agalliu tha se më anë të këtij ndryshimi synohet të rritet në mënyrë të konsiderueshme vlera minimale e projekteve të investimit.
Agalliu informoi se nga viti 2016 e deri tani janë trajtuar 88 projekte investimi, prej të cilave: 40 kanë përfituar status strategjik, 14 projekte janë refuzuar, 34 projekte janë në fazë vlerësimi.
“Në këtë projektligj propozohet që vlera minimale e një projekti të propozuar për t’u kualifikuar si investim potencial strategjik të jetë mbi 50 milionë euro, në çdo sektor ose të krijojë minimalisht 300 vende pune. Njëkohësisht, nëse subjekti synon procedurën e veçantë, në çdo sektor, vlera e investimit të jetë e barabartë ose më e madhe se 100 milionë euro ose investimi të krijojë minimalisht 500 vende të reja pune”, u shpreh ai.
Problemi, vuri në dukje Agalliu, është tek zbatueshmëria, pasi PD ngre shqetësimins e përfitues deri tani nuk kanë qenë investitorë seriozë por klientë afër qeverisë./ata