Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, mori pjesë në Asamblenë e 77-të Botërore të Shëndetësisë (WHA 77)”, me temë “Të gjithë për shëndetin, shëndet për të gjithë”, që u mbajt në Gjenevë.
Përmes një vedeomesazhi në rrjete sociale, Koçiu tha se, “Qeveria shqiptare dhe MSHMS kanë zgjeruar shërbimet e kujdesit shëndetësor me fokus kryesor shërbim shëndetësor universal për të mos lënë askënd pas”.
Sipas saj, procesi i integrimit në BE e ka bërë të rëndësishme përshpejtimin e kohezionit në sektorin e kujdesit shëndetësor
“Fokusi ynë mbetet zbulimi i hershëm dhe parandalimi i sëmundjeve, ku krahas vijimit të investimeve në infrastrukturën shëndetësore dhe pajisjes me aparatura bashkëkohore; janë një sërë programesh që ofrojnë kujdes shëndetësor dhe cilësor afër vendbanimit për qytetarët”, u shpreh ministrja.
Duke u ndalur në investimet në infrastrukturën shëndetësore, Koçiu tha se, “kemi transformuar infrastrukturën në 400 qendra shëndetësore dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në të gjithë vendin. Pranë kujdesit shëndetësor parësor po forcojmë mjekësinë familjare për të ofruar shërbime të integruara socio-shëndetësore”.
Ministrja theksoi se në vijueshmëri të rritjes së shërbimit shëndetësor për qytetarët, zbatohet programi kombëtar i kontrollit mjekësor falas pranë Qendrave Shëndetësore në të gjithë vendin; Depistimi falas për kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës për të gjitha vajzat dhe gratë dhe Vaksinimi falas i Rotavirusit dhe kundra HPV-së.
“Fokusi ynë mbetet zbulimi i hershëm dhe parandalimi i sëmundjeve”, tha Koçiu./ata