Trendi pozitiv i aktivitetit ekonomik në vend është reflektuar edhe në rritjen e kredisë konsumatore.
Bankat tregtare dhanë 9.1 miliardë lekë kredi të re për konsum, për tremujorin e parë të vitit 2024, me rritje rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, vlera totale e portofolit të kredisë konsumatore në fund të muajit mars shënoi vlerën e 72.2 miliardë lekë, ose 17% më shumë me bazë vjetore.
Rritja e kredisë konsumatore është një tregues i mëtejshëm i një ecurie pozitive të kreditimit të individëve, e mbështetur nga tendenca e mirë e ekonomisë dhe nga normat relativisht të ulëta të interesit, krahasuar me ekonomitë e tjera.
Banka e Shqipërisë, pret që edhe në tremujorin e dytë të vitit 2024, kërkesa për kredi të jetë e lartë, si në financimin e konsumit, ashtu edhe në blerjen e banesave.
Statistikat e BSH-së, tregojnë një trend në rritje të kreditimit për ekonominë gjatë pjesës së parë të këtij viti, ku vlera e kredisë së re të disbursuar në 3 mujorin e parë, arriti në 82.8 miliardë lekë, në rritje 29.8% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar./ata