Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përshëndeti pranimin e Kosovës si anëtare e asociiuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se ky është një lajm i mirë.
Kreu i PD, shprehet se kjo arritje dëshmon hapat e drejtë dhe të sigurtë të Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik dhe vullnetin e pamposhtur të një shteti që në pak dekada po kthehet nga një konsumues i sigurisë, në një shtet që kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit.
“Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Kosova, anëtare e asociiuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, është një lajm i mirë për të, për rajonin dhe për Europën. Hapat e drejtë dhe të sigurtë të Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik dëshmojnë vullnetin e pamposhtur të një shteti që në pak dekada po kthehet nga një konsumues i sigurisë, në një shtet që kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit”, shkruan Basha.
“Tani është koha që vendet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë formalizuar njohjen e Kosovës ta hedhin këtë hap, duke i hapur rrugë anëtarësimit të saj në Aleancë, si kontribut për paqen dhe stabilitetin e Europës. Duke mësuar nga gabimet e të shkuarës të ndërtojmë një të ardhme të sigurt e të begatë për rajonin dhe Europën”, përfundon Basha./ata