Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijarto, deklaroi sot në konferencën për shtyp së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, se heqja dorë nga kushti i unanimitetit, do të çonte në shkatërrimin e BE-së.

I pyetur nga gazetarët pas përfundimit të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Luksemburg, ku u hapën kapituj themelorë të negociatave, nëse heqja dorë nga vota unanime dhe shmangia e votimeve në bllok do të ishte mënyra e vetme e besueshme për zgjerimin e BE-së, Szjiarto, tha se në rast mosnevoje për unanimitet, do të ishin të mëdhenjtë që do të vendosnin për çështjet e rëndësishme.

“Për ta thënë thjeshtë, mendoj se heqja dorë nga kushti i unanimitetit do të çonte në shkatërrimin e BE-së. Në rast se unanimiteti do të eliminohej do të ndikonte, do të ulte rolin e vendeve të vogla dhe të mesme. Në rast mosnevoje për unanimitet do të ishin të mëdhenjtë që do të vendosnin për çështjet e rëndësishme, puna e vendeve të vogla dhe të mesme do të jetë vetëm të thonë “Po”. Por nuk është kjo mënyra si duhet trajtuar një vend. Nuk është rastësore që funksionimi i BE-së është mbështetur në traktate, në metodologji, pjesë e të cilave kërkojnë unanimitet për vendime të rëndësishme”, u shpreh ministri Szjiarto.

Sipas kryediplomatit hungarez, ato vende anëtare që përmendin unanimitetin si pengesë të zgjerimit po kërkojnë justifikime.

“Do më duhet t’ju them se ato vende anëtare, ato vende që e përmendin unanimitetin si pengesë të zgjerimit po kërkojnë justifikime, për të thënë se pse nuk janë entuziastë për zgjerimin. Më besoni, nëse do të më duhet të emërtoj hapësirën ku hipokrizia, apo fushën ku hipokrizia është në krye në BE, atëherë zgjerimi do të ishte një prej tyre. Tjetër flasin kolegët e mi para audiencës dhe tjetër gjë midis tyre. Për fat të keq më duhet të them se disa prej tyre nuk thonë të njëjtën gjë pas dyerve të mbyllura dhe përpara. Ne po përpiqemi që ata që thonë diçka ndryshe pas dyerve, të thonë në fund të ditës të njëjtën gjë si të gjithë”, tha Szjiarto./ata