Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest, me një agjendë të ngjeshur takimesh me përfaqësues të institucioneve shtetërore hungareze.
Gonxhja tha se, në takimet intensive me tre Sekretarë Shteti të Ministrisë për Ekonominë Kombëtare, u fokusuan tek politikat, reformat dhe strukturat hungareze, projektet dhe programet kryesore sektoriale.
“Dëgjuam e u njohëm gjerësisht me eksperiencat dhe praktikat më të mira të një shteti mik me rezultate konkrete pozitive në investime e ekonomi, teknologji e inovacion, rritje pagash e ulje papunësie, kapital njerëzor e arsim profesional, mirëqenie dhe strehim, treg konkurrues e nxitje prodhimi, si dhe në ndihmën për sipërmarrjen”, tha Gonxhja, teksa i shprehu falënderime Sekretarit të Shtetit për Strategjinë Ekonomike, Burimet Financiare dhe Makroanalizën Ekonomike, Máté Lóga, Sekretarit të Shtetit për Industrinë dhe Teknologjinë, Gergely Fábián, si dhe Sekretarit të Shtetit për Marrëdhëniet me Punën, Sándor Czomba.
“Shqipëria mbetet e hapur për të mirëpritur sipërmarrësit hungarezë të cilët janë të gatshëm për të shtrirë aktivitetin e tyre edhe në vendin tonë. Sektorët janë të shumtë, dhe Qeveria Shqiptare ka krijuar e po krijon lehtësi të mëdha për tërheqjen dhe mbështetjen e investitorëve të huaj”, deklaroi ministri.
Gonxhja u shpreh se, ekspertiza hungareze është një ndihmë e madhe dhe e mirëpritur në kohët që jetojmë, sikurse, theksoi ai, “shprehëm nevojën për bashkëpunim energjik dhe të gjithanshëm, politik e teknik, në vazhdën e marrëdhënieve të shkëlqyera Shqipëri – Hungari”.
“Në prag të marrjes së Presidencës së Këshillit të BE nga Hungaria nga 1 korriku i këtij viti, për zgjerimin e perspektivave tona zhvillimore e evropiane si edhe fuqizimin e rolit të Shqipërisë në rajon e krah për krah me partnerët tanë potencial”, tha Gonxhja./ata