Aleanca e Agjencive Evropiane të Lajmeve (EANA), ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, zhvilloi në Lisbonë konferencën me temë ”Roli i agjencive të lajmeve në peizazhin bashkëkohor mediatik”.
Në këtë konferencë, që u organizua nga agjencia portugeze e lajmeve LUSA, Agjencia Telegrafike Shqiptare u përfaqësua nga drejtoresha e përgjithshme, Valbona Zhupa.
Fjalimi kryesor dhe i detajuar në këtë konferencë u mbajt nga themeluesi i Craft-it, Konrad Collao, ndërkohë që një fjalim të shkurtër pati edhe nga deputeti italian, Brando Benifei për Aktin e Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale.
Pjesëmarrësit në këtë konferencë theksuan se ka një transformim në mënyrën se si funksionojnë këto agjenci për t’i rezistuar ndryshimeve teknologjike dhe burimeve njerëzore.
Ata shtuan se ‘shtë shumë e rëndësishme të diskutojmë, promovojmë dhe nënvizojmë rëndësinë dhe vlerën që agjencitë e lajmeve sjellin në shoqëritë tona, sa më shpesh të jetë e mundur.
Duke qenë në bazën e mbledhjes së lajmeve, agjencitë e lajmeve ndonjëherë shpërfillen dhe EANA – Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve po punon shumë për t’i nxjerrë ato në plan të parë.
Presidenti ekzekutiv i agjencisë franceze të lajmeve AFP theksoi se inteligjenca artificiale sjell shumë mundësi, por edhe rrezikun e “demokratizimit të dezinformimit”.
”Teknologjia shihet kryesisht si një mjet produktiviteti. Me fjalë të tjera, shton produktivitetin e gazetarisë sonë”, theksoi ai.
“Në AFP ne nuk prodhojmë përmbajtje me IA. Unë mendoj se është e njëjta gjë me shumicën e anëtarëve të EANA, por kjo mund të ndryshojë”, paralajmëron ai.
”Aktualisht, ne shohim shumë fake news në treg dhe shqetësimi më i madh për mua është ky mosbesim i përgjithshëm ndaj gazetarisë, sepse njerëzit nuk e dinë më se kujt mund t’i besojnë”, shtoi ai.
Stefano De Alessandri, drejtori Ekzekutiv i agjencisë italiane të lajmeve, ANSA deklaroi në një intervistë për LUSA-n se ”inteligjenca artificiale po sjell një revolucion të madh për agjencitë e lajmeve, ndoshta më të madhin që nga shpikja e shtypshkronjës./ata