Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha sot se bashkëpunimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU të Vjenës do të sjellë 6 risi, duke nisur nga oferta akademike dhe duke vijuar me teknologjinë dhe inovacionin.
E pranishme gjatë aktivitetit të zhvilluar në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve arsimore, që në fokus ka modernizimin e Universitetin Bujqësor të Tiranës, ministrja Manastirliu nënvizoi mbështetjen e qeverisë për arsimin e lartë, ku është dyfishuar buxheti për kërkimet shkencore.
“Është një moment shumë i rëndësishëm për ndërkombëtarizmin e universiteteve tona. Një gur kilometrik për transformimin e Universiteti Bujqësor i Tiranës në 2030 UBT si Boku i Vjenës”, tha Manastirliu në çelje të fjalës së saj.
Sipas ministres së Arsimit, ky nuk është një bashkëpunim i zakonshëm. “Është një model i ri, që ka për qëllim transferimin e dijeve dhe teknologjisë në këtë marrëveshje e cila në fakt është një prej atyre krijesave të lindura tre vite më parë me prezencën e kryeministrit Rama në Universitetin BOKU të Vjenës dhe me ekipin tonë qeveritar, por mbi të gjitha me forcën e vullnetit dhe me vizionin e qartë të vetë Universiteti Bujqësor të Tiranës”, tha Manastirliu.
Më tej, ministrja e Arsimit shpjegoi arsyet e suksesit të këtij bashkëpunimi.
“Së pari, strategjia e qartë e UBT, dhe e dyta, është ekspertiza që do të na vijë nga Universiteti BOKU i Vjenës. Ky do të jetë një rrugëtim katërvjeçar, jo pak sfidues, e për të cilin kërkohet gjithë bashkëpunimi juaj. Dua të ftoj këtu të gjithë stafin akademik, që vetë e kanë përqafuar dhe e kanë mbështetur këtë iniciativë”, u shpreh Manastirliu.
“Kemi vendosur të bashkëpunojmë duke bërë bashkë burimet njerëzore dhe ato financiare. Për herë të parë qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Arsimit e Sportit vendos një kontribut financiar direkt për këtë program ndërkombëtarizimi, duke angazhuar rreth 2 milionë euro në këtë projekt, duke qenë dhe duke patur besimin se do të jetë vërtetë një proces i cili jo vetëm do të transformojë programet e studimit, por do t’i japë dhe një shtysë të gjithë aspekteve që lidhen me kërkimin shkencor të Universitetit Bujqësor të Tiranës”, u shpreh Manastirliu.
Ajo tha se “UBT në vizionin 2030, do të ketë prioritet nga ky bashkëpunim 6 shtylla kryesore. Së pari, ofertë të re akademike, ndërkombëtarizimin, modernizimin e menaxhimit dhe administrimit të UBT, digjitalizimin si pjesë përbërëse horizontale të gjithë programeve të studimit, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive dhe të teknologjisë”, vijoi Manastirliu.
“Ajo çfarë do të realizojë, jo vetëm realizimi i programeve të ciklit të parë, por edhe ciklit master dhe doktoraturave, ku parashikohet 30% program mobiliteti i stafit dhe studentëve, ndërkohë të gjithë studentët në fazë doktorature do të kenë një profesor nga BOKU, së bashku me profesorin nga Tirana. Synojmë të kemi simbiozë të formimit të bashkëpunimit edhe të programeve të ciklit të tretë”, shtoi Manastirliu.
“Veprimtaria shkencore do të jetë në fokus të bashkëpunimit. Në 2030 UBT do të jetë qendër rajonale ekselence për kërkimin shkencor. Këtu dua të përmend atë që jemi duke bërë, sa i përket mbështetjes për kërkimin shkencor. Janë dyfishuar fondet për kërkimin shkencor dhe partneritetet me universitetet për sa i përket kërkimit shkencor. Ne synojmë që brenda këtij programi mbështetja për UBT të jetë edhe më e madhe dhe më e shpejtë. Ligji i ri për shkencën që prezantojmë së shpejti në Kuvend, do të ketë një tjetër hapësirë dhe dimension, që do t’i jepet bashkëpunimit të Universitetit, që bashkëpunon me shkencat, dhe me industrinë e biznesit, si pjesë përbërëse e dimensionit të shkencës së hapur dhe të kërkimit shkencor ku jemi fokusuar dhe do të vazhdojmë investimin në këtë drejtim”, tha ministrja e Arsimit.
Në fund, Manastirliu tha se “Ministria e Arsimit dhe Sportit ka dhe në fokus zgjerimin e ofertës akademike, për hapjen e degëve prestigjioze në vendin tonë, duke rritur kështu dhe interesin e studentëve, po ashtu dhe për të rritur interesin e studentëve të huaj për të studiuar në Shqipëri. 30 programe të përbashkëta me universitete në Evropë, 7 janë të UBT; Kolegji i Evropës, Kampusi i Tiranës hapet këtë vit akademik; Hapet në Gjirokastër Universiteti në Distancë i Spanjës; Programi me Teknologjikun e Francës, që ka shprehur interes për hapjen e kampusit tek Universitetit Politeknik në Tiranë, apo dhe me Universitetin e Stambollit”./ata