Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në takimin me homologë ministra dhe ambasadorë, të organizuar në kuadër të Asamblesë së 77-të Botërore të Shëndetësisë (WHA 77) në Gjenevë, Zvicër, për të mbështetur ringritjen e sistemit shëndetësor të Ukrainës.

Gjatë takimit, ministrja Koçiu theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës, duke ofruar ekspertizën teknike, pajisje mjekësore dhe ndihmë financiare për të forcuar kapacitetet në infrastrukturën shëndetësore.

“Kemi nisur ndërtimin e mbi 50 autoambulancave për Ukrainën, të gjitha të përshtatshme në përgjigje të emergjencave për të plagosurit nga sulmet ruse”, u shpreh Koçiu.

Po ashtu, ministrja theksoi se “së bashku me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet partneriteteve strategjike dhe bashkëpunimit të vyer, mbetemi të përkushtuar për ndërtimin e një kujdesi shëndetësor gjithëpërfshirës në Ukrainë”./ata