Grupimi i Rithemelimit të Partisë Demokratike prezantoi sot programin me prioritetet për arsimin 2025 – 2029.

Një ndër pikat kryesore të këtij programi është investimi për arsimin dhe shkencën në 5 % të PPB, që do të përdoret për të realizuar rritjen e pagave të mësuesve dhe pedagogëve mbi mesataren e rajonit të Ballkanit.

Sipas ‘Rithemelimit’, kjo do të sjellë përgjysmimin e tarifave të studentëve në universitetet publike si dhe reformimin e gjithë sistemit arsimor dhe përgatitja e “Mësuesve të Gjeneratës së re”.

Një tjetër pikë e e programit të Rithemelimit është edhe digjitalizimi i shpejtë, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare të arsimit, në të gjitha aspektet si dhe shkolla dhe universitete moderne në çdo nivel.

Në fokus të programit do të jenë politika të veçanta për arsimin në Shqipëri, për rritjen e aksesit në arsim.

Gjithashtu parashikohen bursa dhe zero tarifa për çdo nxënës të arsimit profesional dhe për çdo student nga këto zona.

Programi për arsimin parashikon edhe  standarde ndërkombëtare në shkollim për çdo nxënës e student. Nivelet e testeve kombëtare (Provimi i Lirimit, Matura) dhe të diplomave universitare do të përafrohen me standardet ndërkombëtare.

Gjithashtu, në program parashikohet orientimi i arsimit të mesëm dhe të lartë profesional kah kërkesave të tregut të punës, ku përmes programeve të praktikave të financuara, nxënësit dhe studentët përfitojnë semestra intership-i të paguar.

Programi i arsimit të Rithemelimit planifikon edhe reformimin tërësor të universiteteve dhe shkollave të larta në organizimin institucional, në programet e studimit, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive e shërbimeve, duke u klasifikuar në rankimet internacionale sipas fushave, përkrah universiteteve më të mira të rajonit.

Rithemelimi synon një kthesë rrënjësore në kërkimin shkencor në universitete.

Në program synohet 10-fishimi i investimit për kërkimin, si rruga kryesore për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe shfrytëzimit të potencialit krijues të komunitetit akademik të universiteteve për zhvillimin e gjithanshëm të vendit.

Rithemelimi thekson se, PD do të aplikojë praktikat për të mira internacionale për stimulimin e investimit privat në arsimin profesional, kërkimin, zhvillimin dhe inovacionin, në mënyrë që ai të arrijë në rreth 1,5 % të PBB./ata