Sot u zhvillua ceremonia e hapjes së Qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes.

I pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministra të kabinetit, deputetë dhe drejtues të lartë të FA vizitoi mjediset e kësaj qendre, ku u njoh me funksionet e secilës prej godinave.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e cilësoi këtë si një hapje të një faqeje të re në Forcat e Armatosura dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

“Është një faqe modernizimi , është një kalim në një fazë të re të zhvillimit të Shqipërisë që po i bashkohemi edhe ne. Është mishërim i vizionit të Kryeministrit Rama për futjen e zhvillimeve në Shqipëri në lëvizjen për inovacion”, u shpreh ministri Peleshi.

Sipas ministrit Peleshi, “një vend me zhvillim si Shqipëria ka nevojë për të kapërcyer dhe për të rritur ritmin me ndihmën e teknologjive të reja, me ndihmën e fuqisë intelektuale të kombit shqiptar. Ndaj ne sot jemi krenarë që i bashkohemi kësaj lëvizje dhe premtojmë që shumë shpejt do të japim produktet e para inovative që do të jenë edhe model frymëzues besoj për të rinjtë shqiptarë që na janë bashkuar në Forcat e Armatosura, por edhe për të rinjtë e tjetër që të kuptojnë që e ardhmja mund të ndërtohet këtu”.

Ministri i Mbrojtjes tha se, kjo qendër është pjesë e rrjetit të qendrave të ekselencës së NATO-s, duke qenë se Shqipëria është vend anëtar.

“Qendrat e ekselencës së NATO-s, si anëtarë të Aleancës janë qendrat tona të ekselencës. Jemi pjesë e një network-u, që ndërveprojmë, rrisim kapacitetet tona të trajnimit, jemi në konkakt me të rejat e fundit të Inteligjencës Artificiale, teknologjive të reja, të cilat kanë për qëllim të na ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve tona të sigurisë dhe mbrojtjes, të ndërtojmë më shumë fuqi mbrojtëse me më pak burime”, u shpreh ministri Peleshi.

Sipas ministrit Peleshi, në këtë qendër trajnohet modeli shqiptar i Inteligjencës Artificiale, duke përdorur dy teknologjitë; dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 dhe flotiljen e dronëve Bayraktar, imazhet e të cilëve analizohen sipas interesave të sektorëve.

Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e cila i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje./ata