Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u bëri sot thirrje të rinjve, të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura, për një karrierë unike.

 

Peleshi ndau në rrjetet sociale një video informuese mbi aktivitetin dhe përgjegjësitë e Forcave të Armatosura, ndërsa u bëri thirrje të rinjve të aplikojnë online ose pranë Pikës së Rekrutimit në sheshin “Skënderbej”.

 

“Të palodhur dhe të sakrificës, në të ftohtë dhe në temperaturat përvëluese të verës, në zjarre e përmbytje, ata janë aty. Vajzat dhe djemtë e Forcave të Armatosura, pjesa më vitale e rinisë shqiptare, me dëshirën për t’i shërbyer Atdheut”, vlerësoi ministri.

 

Për të filluar procesin e rekrutimit i interesuari duhet të plotësojë një sërë kriteresh dhe dokumentash.

 

Shtetasit që kërkojnë të aplikojnë për ushtarë/detarë aktivë në FA duhet të aplikojnë drejtpërdrejt në zyrën e pranimit në Qendrën e Personel Rekrutimit, e cila vijon procedurat e testimit dhe përzgjedhjes me kandidatët që janë gjykuar të aftë nga ana shëndetësore./ATSH