Mbulim të një pjese të investimit apo kostove, me fokus “qasjen në financë” ... Është kjo formula me anë të cilës qeveria do të përpiqet të joshë emigrantët të investojnë në agroturizëm në Shqipëri. Me në të një pakete e cila pritet të bëhet publike së shpejti, shteti do të shërbejë si garantor te bankat në emër të atyre që do kërkojnë kredi për të ndërtuar ferma agroturistike. 

“Nga njëra anë ka një kërkesë shumë të madhe e nga tjetra një potencial shumë të madh. Kështu që ky mekanizëm futet në mes për të bashkuar kërkesën e emigrantëve, por edhe atyre që jetojnë këtu për të ndërtuar në agroturizëm dhe sektorit financiar që ka një depozitë e kapital shumë të madh që duhet ta shfrytëzojë. Kjo paketë lehtëson komunikimin mes këtyre dy palëve”, tha Enio Civici, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shqipëria është vendi i tretë në botë për diasporën më të madhe. Kryesisht në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e Belgjikë jetojnë e punojnë 1,7 milionë qytetarë. Megjithatë, çdo e keqe e ka edhe një pozitive nga pas. Një pjesë e  tyre po sjellin paratë e grumbulluara në emigrim për t’i investuar në vendlindje.

Rreth 80 për qind e agroturizmave që ekzistojnë sot janë të ndërtuara nga ish-emigrantë shqiptarë që ishin në Greqi apo Itali kryesisht por edhe nga vende të tjera”, shtoi Civici.

Me një ndërhyrje të shtrirë në tre drejtime, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural planifikon të çojë në 1 mijë nga 250 aktualisht numrin e agroturzimeve në vend deri në vitin 2030.

“E para ndihmojmë prodhimin bujqësor që të rritet oferta, e dyta ndihmojë financiarisht ata shqiptarë në Shqipëri apo ata shqiptarë jashtë që të investojnë në agroturizëm dhe e treta.. të gjithë ekosistem e agroturizmit e ndihmojmë dhe e lehtësojmë... dhe kështu arrihet në këtë numër”, tha ai.

Ende nuk dihen detajet konkrete të paketës për të cilën kryeministri Rama po ju flet emigrantëve edhe në turin e tij në diasporë, por nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural konfirmohet se është arritur edhe dakordësia me 11 bankat në vend për të mbështetur me kredi ata që do të investojnë në gjallërimin e agroturizmit./Tema