Po vijon puna në kantierin e poligonit të parë publik të testimit praktik për Leje Drejtimi dhe Qendrës së parë Edukative Digjitale të Simulimeve Virtuale për Leje Drejtimi, në Fushë-Prezë, Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier, ndërsa theksoi se objekti i ri brenda kësaj qendre do të kthehet në një hapësirë të teknologjisë më të fundit të simulatorëve mbi drejtimin e mjetit.
Po ashtu sipas tij, poligoni do të jetë pikë takimi për aktivitete edukative me moshat e reja si edhe stacion trajnimesh profesionale të sektorit të Leje Drejtimit.
“Kjo vepër e re shumëdimensionale, me një sipërfaqe rreth 6000 m2 do të shërbejë edhe për programe edukative të sigurisë rrugore, orë këndi trafiku dhe aktivitete mësimore shtesë”, tha Rama.
Investimi në këtë poligon synon vendosjen e standardeve të testimit transparente e në kushte sigurie manovrash, por edhe krijimin e një qendre futuristike edukimi e formimi për kursantë e subjekte të interesuara për ushtrime e prova të epokës digjitale.