Muhamet Xhebra dhe djali i tij nga Veliqoti i Tepelenës, kujdesen për tufën me 600 dele, duke çuar përpara vizionin e përmirësimit dhe zgjerimit të fermës.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, vizituan blegtorin Xhebra, i cili me punën e tij sjell më shumë cilësi produkti blegtoral dhe shtim të ardhurash.
“Një shembull i blegtorisë së vërtetë shqiptare me njerëz të punës, të cilët gjenden thuajse çdo ditë në malet e Tepelenës me tufën që qëndis kullotat, duke ia dalë të rrisin çdo vit numrin e krerëve dhe ekonominë e familjes së tyre”, tha Denaj në një postim në rrjetet sociale.
Muhameti prej disa vitesh aplikon dhe ka përfituar subvencionin për krerë nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi.
“Kjo skemë është një politikë të cilën ne do e vijojmë edhe këtë vit për t’iu përgjigjur nevojave të fermerëve dhe blegtorëve në të gjithë vendin”, tha Denaj.
Në 2023 përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi u subvencionuan 100 % të gjithë blegtorët përfitues, duke arritur në rreth 7600 blegtorë të mbështetur./ata